Aktiv zjarri në Darëzezë, mjete zjarrfikëse në gatishmëri për shuarjen flakëve

10 hektarë pyll në Darëzezë vazhdon të digjet. Pylli është në pronësi të një subjekti privat dhe pjesërisht pronë e Bashkisë Fier. Në vendngjarje ndodhet një helikopter i Ministrisë së Mbrojtjes dhe 7 automjete zjarrfikëse me 40 efektivë të MZSH-së, një buldozer dhe një fadromë.
Megjithatë, për shkak të terrenit ranor dhe përmasave të mëdha që ka marrë zjarri, situata në ekonominë pyjore të Darëzezës nuk është vënë ende nën kontroll, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Mbrojtjes.
Në zonën e përfshirë nga flakët ndodhen forcat zjarrfikëse nga Fieri, Patosi, Roskoveci, si dhe punonjës të pyjores dhe banorë të zonës, të cilët janë angazhuar në përpjekjet për ndalimin e përhapjes së zjarrit.
Bashkia Fier ka vënë në dispozicion një traktor me zinxhir, duke hapur korridore emergjente për të lehtësuar operacionet në brendësi të masivit pyjor.
Paralelisht me flakët në Darëzezë, një vatër tjetër aktive është përhapur në kodrat me ullishte të Zhupanit, në vendin e njohur si “Takodrom”.
Banorët kanë sinjalizuar flakët që janë përhapur me shpejtësi dhe kanë rrezikuar masivet e ullinjve, megjithëse banesat ndodhen larg. Ndërhyrja në këtë zonë është e kufizuar për shkak të terrenit të thyer, ndërsa dy mjete zjarrfikëse ndodhen në gatishmëri.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




