Vrasja e Artan Cukut, Prokuroria e Tiranës kërkon burg përjetë për organizatorin dhe autorin

Aktualitet | 1 vit më parë

Prokuroria e Tiranës ka kërkuar burgim të përjetshëm për Bledar J., Kristaq L., për vrasjen e ish-drejtorit të Policisë së Vlorës, Artan Cuku.

Nga hetimet e kryera, ka rezultuar se Bledar J., për t’u hakmarrë ndaj ish-drejtorit të Policisë Vlorë (pasi i ndjeri kishte drejtuar hetimet që çuan në arrestimin e Bledarit për vrasjen e dy personave), lidhi marrëveshje me Kristaq L., dhe Mikel Sh., për vrasjen e Artan Cukut.

Sipas marrëveshjes së lidhur nga porositësi i vrasjes Bledar J., Kristaq L. u takua me Mikel Sh., të cilit iu premtua pagesë rreth 20.000 euro dhe se do ta merrte në Gjermani pasi të kryente vrasjen, duke e bindur të kryejë krimin.

Kristaq J., e pajisi Mikel Sh., me 2 armë të llojit pistoletë, njëra tipit Zastava dhe tjetra Clock me silenciator, ndërsa vetë u vendos në ndjekje viktimës nga larg duke marrë vëzhgim.  Ishte Mikel Sh, ai i cili qëlloi për vdekje me 8 plumba, ish-drejtorin Cuku.

“I pandehuri M.Sh. u dënua me dhjetë vjet burgim pasi pranoi akuzën dhe faktin penal, bashkëpunoi me drejtësinë dhe u pendua për krimin e kryer duke i kërkuar ndjesë familjarëve të viktimës.

Nga hetimet rezultoi provuar tej çdo dyshim arsyeshëm se vrasja u krye me dashje në formën e paramendimit e shtyrë nga motive hakmarrje dhe për motive përfitimi të dy bashkëpunëtorëve të tjerë. Këta tre persona bashkëpunuan në drejtimin e B.J. për vrarë A. C. si qëllim final, të shtyrë nga motive ndryshme. Organizuesi këtij bashkëpunimi ka pasur qëllim hakmarrje, ndërsa ndihmësi ka pasur qëllimin për ndihmuar shokun e tij dhe njëkohësisht djalin e hallës M. Sh. për të përfituar holla dhe e ndihmoi në kryerjen e veprës penale, ndërsa M. Sh. kishte interesin përfitimit material në këtë bashkëpunim dhe për pasojë të tre kryen vrasjen e ish drejtorit të Policisë Vlorë”, thuhet në njoftim.

Për këtë arsye Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm kërkoi:

Deklarimin fajtor të të pandehurit B. J. për veprën penale “ Vrasje e punonjëseve të policisë shtetit” parashikuar nga nenet 79/b dhe 25 K.Penal dhe dënimin e tij burgim përjetshëm;

Deklarimin fajtor të të pandehurit K.L. për veprën penale “Vrasje e punonjësve të policisë shtetit” parashikuar nga nenet 79/b dhe 25 K.Penal dhe dënimin e tij burgim përjetshëm.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme