Spanja anulon kontratën për raketat antitank të ndërtuara nga një degë fabrik izraelite në Madrid

Spanja ka anuluar një marrëveshje për sisteme raketash antitank që do të prodhoheshin në Madrid, nga një degë e një kompanie izraelite, në një përpjekje për t’u larguar nga teknologjia ushtarake izraelite, tha të martën Ministria e Mbrojtjes.
Vendimi do të ndikojë në licencën për 168 sisteme raketash antitank SPIKE LR2 me një vlerë prej 285 milionë eurosh (325 milionë dollarë). Sistemet do të ishin zhvilluar në Spanjë nga Pap Tecnos, një degë me seli në Madrid e Rafael Advanced Defense Systems të Izraelit, sipas shtypit lokal.
“Qëllimi është i qartë… një shkëputje totale nga teknologjia izraelite”, u tha gazetarëve zëdhënësja e qeverisë Pilar Alegría, duke shtuar se qeveria po studion “efektet e anulimit”.
Ministria e Mbrojtjes e Izraelit i drejtoi pyetje mbi vendimin kompanisë Rafael, e cila i tha Associated Press se nuk ishte në dijeni të anulimit. Pap Tecnos, e vendosur në periferi të Madridit, nuk bëri komente.
Spanja e miratoi marrëveshjen më 3 tetor 2023, katër ditë para një sulmi kryengritës të udhëhequr nga Hamasi në Izraelin jugor që shkaktoi një luftë shkatërruese në Gaza. Autoritetet argumentuan në atë kohë se sistemet e përdorura nga forcat spanjolle ishin të vjetruara dhe duheshin zëvendësuar me versione të azhurnuara, si ato të përdorura nga ushtritë aleate.
Qeveria e majtë e Spanjës thotë se ndaloi eksportimin e armëve në Izrael që nga 2 tetori 2023, por ka raportime se disa dërgesa kanë arritur.
Shtetet e Bashkuara në fund të vitit të kaluar hapën një hetim nëse aleati i NATO-s, Spanja, u mohoi hyrjen në port të paktën tre anijeve mallrash që thuhet se transportonin armë amerikane në Izrael.
Spanja njohu zyrtarisht shtetin palestinez në maj 2024 në një përpjekje të koordinuar me Norvegjinë dhe Irlandën. Një muaj më vonë, Spanja u bë vendi i parë evropian që i kërkoi gjykatës më të lartë të Kombeve të Bashkuara, Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, leje për t’u bashkuar me një çështje të ngritur nga Afrika e Jugut që akuzon Izraelin për gjenocid në Gaza. Izraeli e mohon me forcë akuzën. AP
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




