Duke pedaluar në jug të Shqipërisë, turistët gjermanë përshkojnë vendin me biçikleta
Një grup prej 17 turistësh nga Gjermania kanë zgjedhur një mënyrë të veçantë për të eksploruar Shqipërinë, përmes një udhëtimi me biçikleta. Të pasionuar pas natyrës dhe aventurës, ata po përshkojnë disa nga itineraret më panoramike të vendit, duke e njohur Shqipërinë jo vetëm si destinacion turistik, por edhe si përvojë autentike kulturore dhe natyrore.
“Zgjodha të eksploroj Shqipërinë me biçikletë sepse është mënyra më e mirë për të ndier ritmin e vendit. Çdo kthesë më çon në një pamje të re, çdo fshat më jep një ndjesi të re . Është një aventurë që nuk e përjeton dot nga dritarja e makinës”, u shpreh një turiste.
“Biçikleta më dha lirinë të ndalem kudo, të shijoj natyrën, malet dhe detin pa nxitim. Shqipëria ka rrugë të qeta, mikpritje të jashtëzakonshme dhe një peizazh që ndryshon vazhdimisht. Është vend ideal për udhëtime me biçikletë”, tha një turist tjetër.
Gjatë itinerarit të tyre, turistët kanë zgjedhur të kalojnë nga rruga e vjetër e Muzinës, një segment historik dhe panoramik që lidh Gjirokastrën me zonat bregdetare. Kjo rrugë ofron një kombinim të rrallë të historisë, natyrës dhe qetësisë.
“Rruga e Muzinës është një nga më të bukurat që kemi kaluar ndonjëherë me biçikletë. Pamja nga lart është mahnitëse male, gjelbërim dhe ajër i pastër. Është sfiduese, por e mrekullueshme për çdo udhëtar që kërkon përvojë të vërtetë”, theksoi një prej turistëve.
Ky udhëtim është një shembull i qartë i turizmit të qëndrueshëm që po fiton gjithnjë e më shumë terren në Shqipëri. Turistët me biçikleta jo vetëm që respektojnë mjedisin, por ndihmojnë edhe në promovimin e zonave të thella dhe më pak të njohura. Të huajt largohen të mahnitur nga mikpritja, natyra dhe autenticiteti që ofron jugu i Shqipërisë.
Gazetare: B. Gjyli
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




