AMA paralajmëron mediat: Të ndalohet transmetimi i pamjeve të vrasjes së 14-vjeçarit

Kryetarja e Autoritetit të Mediave Audiovizive (AMA), Armela Krasniqi, ka reaguar sot me shqetësim të thellë pas shpërndarjes së videove që shfaqin pamje të para dhe pas vrasjes së 14-vjeçarit Martin Cani, ngjarje e rëndë që ndodhi nëntorin e vitit të kaluar në kryeqytet. Ajo u ka bërë thirrje të gjitha operatorëve të shërbimeve mediatike audiovizive (OSHMA) të mos transmetojnë këto pamje, duke paralajmëruar masa ndëshkimore për shkelësit e ligjit.
Në deklaratën e saj të plotë, Krasniqi thekson se publikimi i këtyre pamjeve jo vetëm shkel etikën njerëzore, por është edhe në kundërshtim me kodet e profesionit dhe legjislacionin në fuqi. Ajo shpreh mirëkuptimin për ndjeshmërinë e lartë shoqërore ndaj ngjarjes dhe interesin e medias për të informuar rreth saj, si dhe dëshirën për të ndihmuar në sqarimin e rrethanave. Megjithatë, ajo paralajmëron: “Gara për shikueshmëri nuk duhet të vihet kurrë përpara etikës dhe zbatimit të ligjit që është plotësisht i qartë dhe i rreptë në këtë drejtim.”
Kryetarja e AMA-s thekson se transmetimi i pamjeve të tilla përbën “abuzim, me synim shfrytëzimin e ngjarjes nga këndvështrimi sensacional, duke lënë pas anën e saj njerëzore.”
Thirrje për etikë dhe përgjegjësi
Në emër të interesit më të lartë të fëmijës, respektit ndaj dhimbjes së familjarëve, ndjeshmërisë së opinionit publik dhe detyrimit shoqëror, Krasniqi u bëri thirrje kolegëve të medias:
Ruani etikën!
Respektoni dhimbjen e humbjes së një fëmije!
Respektoni kodet profesionale dhe ligjin!
AMA ka bërë të ditur se do të ndjekë çdo rast dhe çdo shkelje do të trajtohet sipas legjislacionit në fuqi. Megjithëse paralajmëron për masa, Krasniqi shpreson se reagimi i profesionistëve të medias do të jetë “i shpejtë, me përgjegjësi dhe konform ndërgjegjes njerëzore, etikës profesionale, por edhe standardeve të parashikuara në ligjin ‘Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë’ i ndryshuar, në Kodin e Transmetimit dhe akteve të tjera nënligjore në fuqi.”
Ky reagim i AMA-s vjen si një kujtesë e rëndësishme për rolin etik dhe ligjor të medias në raportimin e ngjarjeve të ndjeshme, veçanërisht kur përfshihen të mitur.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




