Thunberg akuzon Izraelin për rrëmbim: Na ndaluan në ujëra ndërkombëtare duke shkelur ligjin

Aktivistja suedeze Greta Thunberg ka akuzuar Izraelin për shkelje të ligjit ndërkombëtar pas deportimit të saj pas përpjekjes për të dërguar ndihmë humanitare në Gaza nga deti.
“Ata bënë një akt të paligjshëm duke na rrëmbyer në ujëra ndërkombëtare dhe kundër vullnetit tonë duke na sjellë në Izrael, duke na mbajtur në pjesën e poshtme të anijes, duke mos na lënë të dalim e kështu me radhë”, u tha Thunberg gazetarëve në Aeroportin Charles de Gaulle të Parisit, ku mbërriti para se të nisej për në Suedi.
22-vjeçarja ishte në bordin e anijes Madleen, e cila operohej nga Koalicioni i Flotiljes së Lirisë, që u ndalua nga forcat detare izraelite të hënën në mëngjes afër 200 kilometra larg bregdetit të Gazës. Anija mbante ndihma humanitare dhe synonte të protestojë kundër asaj që aktivistët e përshkruajnë si një “gjenocid të vazhdueshëm” dhe “uri të orkestruar” në Gaza. “Historia e vërtetë është se në Gaza po ndodh një gjenocid dhe një uri sistematike pas një rrethimi dhe bllokade. Ushqimi, ilaçet dhe uji janë urgjentisht të nevojshëm”, tha Thunberg.
E pyetur për imazhin viral të saj duke marrë një sanduiç nga një ushtar izraelit, Thunberg e quajti atë një “mashtrim PR”.
Ministria e Punëve të Jashtme e Izraelit konfirmoi deportimin e saj, duke bërë të ditur se ajo është dërguar në Francë dhe do të vazhdojë për në Suedia.
Ministria izraelite postoi një fotografi të Thunberg në një aeroplan, pavarësisht qëndrimit të saj të njohur kundër udhëtimit ajror për arsye klimatike. Ndërsa, Thunberg dhe dy të tjerë, përfshirë një gazetarë, u deportuan, tetë aktivistë të tjerë, përfshirë eurodeputeten franceze Rima Hassan, mbeten në paraburgim izraelit.
Sipas autoriteteve izraelite, katër prej tyre pritet të paraqiten para një gjyqtari.
Gazetar: Artur Mata
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



