Tusk fiton votëbesimin, siguron mbështetjen pas humbjes në zgjedhjet presidenciale
Kryeministri polak, Donald Tusk, ka siguruar votëbesimin në parlament, duke marrë mbështetjen e shumicës për të vijuar drejtimin e qeverisë. Aleanca e tij centriste dhe pro-evropiane fitoi 243 vota përkundër 210 kundërshtimeve në një parlament me gjithsej 460 deputetë.
Kjo votëbesim erdhi pas disfatës së kandidatit të mbështetur prej tij, Rafal Trzaskovski, në zgjedhjet presidenciale, ku humbi përballë nacionalistit Karol Naurocki. Tusk kërkoi vetë votëbesimin për të forcuar legjitimitetin e kabinetit të tij pas këtij rezultati zgjedhor.
“Desha të kërkoja këtë votëbesim sepse po qarkullonin spekulime se qeveria jonë nuk do t’ia dilte, se unë mund të rrëzohesha dhe se do të ishte e pamundur të punonim në këto rrethana”, deklaroi Tusk.
Pas këtij rezultati, ai konfirmoi pozicionin si Kryeministër, duke rifituar një mandat të qartë nga shumica parlamentare për të udhëhequr vendin.
Në debatin parlamentar, Tusk përmendi rritjen e shpenzimeve për mbrojtjen kombëtare dhe planin për të ulur kostot e sigurimeve të vizave për emigrantët. Ai theksoi gjithashtu se qeveria e tij do të vazhdojë përpjekjet për të anuluar reformat gjyqësore të kryera më herët nga partia nacionaliste Ligj dhe Drejtësi (PiS), të cilat janë kritikuar nga Bashkimi Evropian si të dëmshme për pavarësinë e sistemit gjyqësor.
Megjithatë, presidenti aktual Andrzej Duda, një aleat i PiS-it, ka penguar deri tani përpjekjet për rikthimin e reformave. Me zgjedhjen e Naurockit për një mandat pesëvjeçar, qeveria e Tusk do të duhet të përballet me sfidën e një presidenti kundërshtar.
Gazetar: Artur Mata
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




