26 vjet nga çlirimi Kosovës, Kurti flet nga Prekazi: 12 Qershori, simbol i kryengritjes dhe lirisë

Me rastin e 12 Qershorit, itës së Çlirimit të Kosovës, kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka përkujtuar nga Prekazi sakrificën e familjes Jashari dhe të gjithë dëshmorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Ai theksoi rëndësinë e këtij vendi si simbol të kryengritjes dhe lirisë.
“Urime të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe mbarë kombit shqiptar! Sa herë që vjen 12 Qershori, rikthehemi në Prekaz, në këtë vend që paraqet kryeqytetin e kryengritjes sonë – në këtë vend të familjes së jashtëzakonshme Jashari, të jashtëzakonshëm, të papërsëritshëm, dhe të kryekomandantit Adem Jashari, kryekomandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e cila ishte bartëse e procesit të lirisë”, u shpreh Kurti.
Kurti theksoi më tej se 12 qershori është dita e krenarisë për lirinë e arritur dhe shtetin që ka sot Kosova.
“Para 26 vjetësh, kjo luftë u shoqërua edhe me ndërhyrjen e avionëve të NATO-s kundër Serbisë – armike, agresore, pushtuese, okupatore dhe, mbi të gjitha, shoviniste dhe antishqiptare.
Me 12 Qershor jemi të mbushur me krenari për të arriturat tona, për shtetin dhe lirinë që gëzojmë, por njëkohësisht edhe me mall e pikëllim për ata bij e bija që nuk janë më në mesin tonë – e që ishin më të mirët, sepse u sakrifikuan dhe u flijuan për çlirimin e vendit dhe për lirinë e popullit.
Lavdi kryekomandantit Adem Jashari dhe të gjithë dëshmorëve e martirëve të kombit shqiptar”, tha Albin Kurti.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




