Përfundon verifikimi në 94 kuti në Gramsh e Peqin. Konstatohen disa mospërputhje, KAS do të japë vendimin final

Politikë | 1 vit më parë

Pas përfundimit të procesit të verifikimit të 94 kutive të Gramshit me kërkesë të Partisë Demokratike janë gjetur disa problematika, por për anëtarin e PD-së në Komisionin e Ankimimeve dhe Sanksioneve (KAS), Elvis Çefa, është herët për të arritur në konkluzione.

“Ne ishim në fazën e grumbullimit të dokumentacionit, pra, të provave, që ishte edhe qëllimi kryesor për të cilin unë dhe kolegu im në KAS vendosëm që të hapen këto kuti, për t’i rivlerësuar provat. Procesi do të vijojë pastaj në dy faza të tjera. Subjekti ankimues PD–ASHM ka paraqitur në KAS një kërkesë për pavlefshmëri të zgjedhjeve dhe që të shkohet te pavlefshmëria e zgjedhjeve duhet eventualisht që ky proces të fillojë në formë piramidale, pra, duke filluar nga pavlefshmëria eventuale e kutive të votimit, e qendrave të caktuara të votimit,” u shpreh zyrtari i KAS-it.

I pyetur në lidhje me pretendimin e PD-së për “trenin bullgar”, z. Çefa dha këtë sqarim.

“Pasi pamë pamjet filmike të vëna në dispozicion nga pala ankuese, ne evidentuam që ka indicie që në qendra të caktuara votimit procesi mund të jetë infektuar, prekur. Kjo ishte arsyeja që ne vendosëm të hapim të gjitha kutitë e votimit dhe të materialeve zgjedhore, pikërisht për të parë këtë. Në këtë prizëm unë mund të them se kishte indicie. Nëse këto indicie më pas do të shndërrohen në prova, kjo mbetet për t’u parë,” tha z. Çefa.

Gjithë procesverbalet e konstatimit do i vihen në dispozicion Partisë Demokratike, që do bëjë analizën e gjetjeve. Më pas kërkesat do të paraqiten në seancën e radhës në KAS.

Gazetare: Jonela Sagajeva

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme