Sveçla: Armët në veri u gjetën në pronë të politikanit serb Arsenijevic

Kosovë | 1 vit më parë

Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla bëri të ditur se armët dhe municioni i rëndë i sekuestruar në bastisjen në fshatin Vallaq të Zveçanit, u gjetën në pronë të politikanit serb Aleksandar Arsenijevic.

Në një operacion të përbashkët mes Policisë së Kosovës, Agjencisë Kosovare të Inteligjencës (AKI), Prokurorisë, me mbikëqyrje nga KFOR dhe EULEX u krye bastisja në fshatin Vallaq të Zveçanit, ku janë gjetur një arsenal armësh të rënda, përfshirë raketahedhës dore (zolla), granata dore, tronblona, armë dhe municion i llojeve të ndryshme.

Sveçla shpjegoi se armët janë sekuestruar në një objekt që i përket politikanit serb Aleksandar Arsenijevic, duke e cilësuar këtë arsenal si mjaftueshëm për veprime terroriste.

“Sot, njësitet relevante të Policisë së Kosovës në bashkëpunim me AKI dhe prokurorinë, me monitorim nga KFOR dhe EULEX, kanë realizuar një bastisje ku është gjetur një arsenal i tërë, i mjaftueshëm për një njësit terrorist,” tha Sveçla.

Ai theksoi se krimi nuk mund të fshihet pavarësisht përpjekjeve për ta mbuluar dhe se institucionet e Kosovës do të vazhdojnë punën pa ndërprerje për të siguruar rendin dhe ligjin në gjithë territorin e Republikës së Kosovës.

“Nuk do të ndalemi derisa të çrrënjosim plotësisht mbetjet kriminale dhe terroriste të Serbisë nga vendi ynë,” shtoi Xhelal Sveçla.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme