Kryeministri Rama në samitin dyditor të NATO-s, takim dypalësh me shefin e Aleancës dhe Mbretin e Holandës

Kryeministri Edi Rama po merr pjesë në Samitin e nivelit të lartë të NATO-s, që po zhvillohet në qytetin e Hagës, në Holandë, më 24 dhe 25 qershor.
Në qendër të këtij samiti janë diskutimet për përforcimin e mbrojtjes kolektive, rritjen e shpenzimeve të përbashkëta dhe sfidat e sigurisë rajonale dhe globale.
Kryeministri Rama do të zhvillojë një takim dypalësh me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte. Në këtë takim pritet të jenë edhe Igli Hasani, ministër për Europën dhe Punët e Jashtme; Pirro Vëngu, Ministër i Mbrojtjes; znj. Vlora Hyseni; Arben Kingji, Shef i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, ku në qendër të bisedimeve pritet të jetë siguria në Ballkan dhe më gjerë.
Kryeministri Rama dhe bashkëshortja e tij, znj. Linda Rama, do të marrin pjesë në darkën zyrtare të organizuar nga Mbreti Willem-Alexander dhe Mbretëresha Máxima e Holandës, në Pallatin Mbretëror “Huis ten Bosch”. Të pranishëm në këtë aktivitet do të jenë të gjithë krerët e shteteve dhe qeverive pjesëmarrëse në samit, përfshirë liderët e SHBA-së, BE-së, si dhe Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy.
Mbi 10 mijë oficerë sigurie janë angazhuar për mbarëvajtjen e Samitit, duke u angazhuar me forca tokësore, helikopterë dhe patrullime në det, ndërsa me interes priten punimet e së martës, ku do të vendoset për një qasje të re të mbrojtjes nga aleatët, në një kohë me disa konflikte ushtarake në Lindjen e Mesme dhe luftës 4-vjeçare në Ukrainë.
Gazetare: Denada Shkodrani
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




