124 mjekë të rinj specializantë nënshkruajnë kontratën me MSHMS, Koçiu: Do jeni dëshmitarë të transformimeve në QSUNT

Sociale | 1 vit më parë

124 mjekë, të cilët fillojnë këtë vit specializimin 4-vjeçar në mjekësi, kanë nënshkruar sot kontratën me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale për të ofruar shërbime shëndetësore në specialitete të ndryshme aty ku ka nevojë vendi, pas përfundimit të studimeve.

Gjatë ceremonisë së zhvilluar në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu, theksoi se “këtë vit nisin specializimin afatgjatë në mjekësi 253 mjekë nga të cilët 124 do nënshkruajnë një kontratë me MSHMS”. 

Gjithashtu, ministrja Koiu u ndal edhe tek transformimi i infrastrukturës shëndetësore dhe investimet në pajisje të teknologjisë së fundit duke përmirësuar dhe rritur shërbimet për qytetarët, por edhe krijimin e kushteve për stafet shëndetësore

“Jam e sigurt që kudo ku do priteni, por dhe pasi të mbaroni këtë periudhë 3- vjeçare do të gjeni një infrastrukturë spitalore tërësisht të rinovuar. Të gjithë ju do të jeni dëshmitarë të transformimeve që Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” po merr dhe po jetëson dita-ditës”, u shpreh ministrja e Shëndetësisë duke shtuar se janë një sërë infrastrukturash spitalore brenda QSUNT-së, që aktualisht janë duke u rinovuar. 

Mjekët specializantë me kontratë me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale për katër vite gjatë formimit të tyre do të marrin 80% të pagës së mjekut specialist, dhe 100% ata të cilët kryejnë specializimin në degët prioritare “mjekësi familjeje” dhe mjekësi urgjence”. Ata kanë përzgjedhur të specializohen në fusha të ndryshme të mjekësisë, si pediatri, imazheri, anestezi-reanimacion, kardiologji, mjekë internistë, kirurgji e përgjithshme, pneumologji, sëmundje infektive, obstetri-gjinekologji, diagnoza me imazhe dhe mjekësi familje.

Që nga viti 2014 kur dhe u rihapën specializimet në mjekësi, numri total i kuotave të pranimit për mjek specialistë ka qenë rreth 2900, nga të cilët 1151 mjekë kanë ndjekur specializimin si kuotë e mbuluar nga Ministria e Shëndetësisë.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme