Protestë antiqeveritare në Beograd, studentët ultimatum qeverisë për zgjedhje të parakohshme

Pas disa muajsh protestash të udhëhequra nga studentët, dhjetëra mijëra qytetarë pritet të mblidhen në kryeqytetin e Serbisë këtë të shtunë, duke paralajmëruar se ky do të jetë tubimi më i madh që nga marsi, kur në Beograd u mblodhën rreth 300 mijë persona.
Për më shumë se gjysmë viti, studentët kanë bllokuar universitetet dhe kanë organizuar demonstrata të mëdha në të gjithë vendin, duke kërkuar një hetim transparent për 16 humbjet e jetëve të shkaktuara nga shembja e strehës së stacionit të trenit në Novi-Sad më 1 nëntor të vitit të kaluar.
Ndërsa nga maji fokusi i tyre u zhvendos në thirrjet për zgjedhje të parakohshme parlamentare. Përpara protestës së së shtunës, studentët i dhanë ultimatum presidentit Aleksandar Vuçiç, duke i vendosur si afat orën 21:00, që qeveria serbe të thërrasë zgjedhje të parakohshme.
Vuçiç hodhi poshtë të premten kërkesat e tyre për zgjedhje, pasi më parë kishte deklaruar se ai proces nuk do të mbahet para fundit të vitit 2026.
“Ultimatumi nuk u pranua, nuk keni pse të prisni deri të shtunën në orën 9 të mbrëmjes,” tha ai për televizionin shtetëror RTS. “Fuqitë e huaja dërguan një ultimatum përmes ndihmësve vendas,” tha presidenti serb, duke shtuar se askush nuk duhet të ketë frikë, përveç atyre që planifikojnë dhunë.
Studentët kanë bërë thirrje gjithashtu për heqjen e kampeve pro-qeveritare jashtë parlamentit, të cilat kanë bllokuar një park dhe një kryqëzim të madh në qendër të Beogradit që nga marsi, ku një grupim i ashtuquajtur i studentëve që duan të mësojnë, kërkojnë të rinisë mësimi në universitete.
Protestuesit paralajmëruan për radikalizim të lëvizjes nëse kërkesat e tyre nuk plotësohen. Ndërkohë policia serbe u bëri thirrje protestuesve të ruajnë qetësinë. “Çdo përpjekje për të sulmuar policinë, ndonjë institucion shtetëror, medie apo pronë private nuk do të tolerohet,” thuhet në deklaratë.
Gazetare: Vjollca Zharri
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





