Arrestimet te “Bankers Petroleum”, Prokuroria: Shmangu tatimet për 20 vite. Miliona euro dëm buxhetit të shtetit

Aktualitet | 1 vit më parë

Prokuroria e Fierit ka dhënë detaje lidhur me operacionin e kryer në kompaninë “Bankers Petroleum”, ku janë arrestuar 9 persona, mes tyre edhe CEO aktual, shtetasi kinez Hongping Xiao, dhe ish-drejtuesja Leonidha Çobo, ndërsa 5 të tjerë, shtetas të huaj, janë shpallur në kërkim.

Prokuroria bën me dije se bëhet fjalë për një skemë mashtruese me qëllim fshehjen e të ardhurave. Prej 20 vitesh, kompania ka deklaruar se ka dalë me humbje, duke shmangur në këtë mënyrë detyrimet tatimore.

Nga viti 2004 e deri në fund të vitit 2024, kompania ka deklaruar se ka dalë me humbje, pavarësisht se janë nxjerrë e tregtuar sasi të konsiderueshme karburanti në zonat e njohura me rezerva nafte, Patos-Marinëz-Fier.

Sipas Prokurorisë, shoqëria ka kryer eksporte dhe shitje brenda vendit nga viti 2004 deri në vitin 2024 në vlerën prej 532,433,614,112 lekë. Po ashtu, rezulton se kjo kompani ka deklaruar shpenzime tatimore në vlera që tejkalojnë të ardhurat nga eksportet dhe shitjet, duke dalë në çdo vit me humbje, ku vlera totale për të gjitha periudhat është në shumën 11,691,799,688 lekë.

Nga hetimi, dyshohet se dëmi i shkaktuar në buxhetin e shtetit, përmes përfitimit të TVSH-së, është në miliona euro.

Dyshohet se, gjatë gjithë periudhës që ka ushtruar aktivitetin e saj, “Bankers Petroleum” ka rritur në mënyrë fiktive shpenzimet e saj, me qëllim që në bilancin vjetor të rezultojë me humbje, e më pas nuk ka paguar asnjë tatim mbi fitimin, por ka përfituar nga rimbursimi i TVSH-së nëpërmjet skemave mashtruese, e ndihmuar dhe nga individë e shoqëri të tjera kontraktuese të saj, me objekte dhe veprimtari të ndryshme.

“Për arritjen e këtij qëllimi, nga shoqëria e punonjësit e saj dyshohet se janë falsifikuar dokumente të ndryshme dhe kryhen operacione financiare të natyrave të ndryshme me operatorë dhe individë të ndryshëm si brenda dhe jashtë Shqipërisë”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Prokuroria thotë se hetimet në vijojnë pasi dyshohen disa skema të ndryshme mashtrimi për TVSH-në, pastrim parash, etj., ku janë të implikuar dhe shumë individë dhe kompani të tjera.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme