Shalqinjtë më lirë se uji i çezmës, fermerët e Lushnjës protestojnë: Prodhimi po mbetet në arë
Renaldo Kaja është një nga fermerët e rinj të Lushnjës që zgjodhi të mos ikë jashtë, por të punojë tokën në vendin e vet. Pas një viti të tërë përpjekjesh, ai është i zhgënjyer, pasi çmimi i shalqinjve ka rënë në vetëm 10 lekë për kilogram dhe nuk e justifikon as harxhin e ujit për ta vaditur. Për këtë arsye, Renaldo thotë se do ta lërë në arë pa e vjelë.
“Malli na ka mbetur nëpër parcela dhe nuk po na e marrin sepse është bërë monopol”, u shpreh fermeri.
Fermerët fajësojnë pikat e grumbullimit, të cilat sipas tyre kanë mbjellë vetë qindra hektarë shalqinj dhe nuk blejnë më prodhimin e fermerëve të vegjël. Për këtë arsye, prodhuesit në fshatrat Imshtë dhe Halilaj tentuan të protestojnë për të sensibilizuar rreth për situatës, por u penguan.
“Pikat e grumbullit kanë mbjellë sipërfaqe me shalqi, filluan të mbledhin shalqirin e fermerëve kur ishin në krizë dhe tani që po marrin prodhimin e tyre po e eksportojnë dhe ne kanë lënë pezull”, tha ai.
Këta prodhues kërkojnë ndërhyrjen e strukturave të shtetit për të kontrolluar abuzimet mbi çmimet e shitjes së produkteve të stinës. Sipas fermerëve jo vetëm shalqiri por edhe specat, domatet, kastraveci janë ulur në 10 lekë për kilogramë.
Fermerët kërkojnë të takohen me përfaqësuesit e institucioneve për të biseduar mbi situatën e çmimeve dhe për të kuptuar arsyen e rënies së menjëhershme nën koston e prodhimit.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




