Tarifat amerikane mbi produktet europiane kërcënojnë marrëdhënien tregtare dypalëshe “më të rëndësishme në botë”

Bashkimi Europian po pret ditën e hënë për të mësuar se çfarë ka vendosur presidenti amerikan Donald Trump për sa i përket tarifave të rënda që ai ka paralajmëruar mbi produktet europiane.
Në fillim të prillit, administrata amerikane njoftoi një taksë 20 për qind mbi importet nga BE-ja për shkak të disbalancës së madhe tregtare që ekzistonte midis dy partnerëve. Por tarifat mbetën në fuqi vetëm për disa orë dhe u kthye norma standarde 10 për qind, pasi palët pranuan të ulen në tryezë për të gjetur një zgjidhje.
Presidenti Trump ka kërcënuar se taksa mbi importet europiane mund të pesëfishohet në 50 për qind, në fakt, pasi bisedimet mes palëve nuk e kanë kënaqur deri tani. Kjo do u rriste çmimin produkteve si djathërat francezë, produktet italiane të lëkurës, pajisjet elektronike gjermane dhe barnat spanjolle që tregtohen në SHBA. Brukseli ka thënë se është të gati të vendosë tarifa të njëjta ndaj qindra produkteve amerikane, nga mishi te pjesët e makinave dhe deri te avionët Boeing.
BE-ja vlerëson se raporti tregtar mes SHBA-së dhe BE-së është “marrëdhënia tregtare më e rëndësishme në botë”, me shkëmbime që kapën vlerën e 1,7 trilionë eurove (2 trilionë dollarë) në vitin 2024 ose gati 4,6 miliardë euro çdo ditë, sipas agjencisë europiane të statistikave, Eurostat.
Nafta bruto është eksporti kryesor që SHBA-ja çon në Europë, dhe më tej vijnë prodhimet farmaceutike, aeronautike, automjetet, dhe pajisjet mjekësore. Europa eksporton kryesisht prodhime farmaceutike, makina, mjete fluturuese, kimikate, instrumente mjekësore, si dhe verë dhe produkte alkoolike të distiluara.
Presidenti Trump është ankuar se BE-ja ka një suficit tregtar rreth 198 miliardë euro (233 miliardë dollarë), që do të thotë se amerikanët blejnë më shumë gjëra nga bizneset europiane sesa anasjelltas. Zyrtarët e administratës amerikane kanë thënë se duan të adresohen disa çështje që po e pengon zhvillimin e tregtisë, siç janë barrierat europiane në lidhje me pulat e shpëlara me klor apo mishi i kuq me hormone. Kritika ka edhe për taksën mbi vlerën e shtuar që BE-ja aplikon ndaj produkteve në shitje, nga 17% në 27%. /AP
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




