Zjarret, situatë kritike në Lurë, 15 vatra raportohen në vend, 4 mbeten aktive

Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile (AKMC) raportoi të martën se gjatë ditës, nga ora 09:00 deri në 20:30, janë shënuar 15 vatra zjarri në të gjithë vendin. Nga këto, 11 janë shuar plotësisht, ndërsa 4 mbeten ende aktive.
Vatra të shuar dhe të izoluara
Falë punës së pandërprerë të forcave operacionale në terren, u arrit izolimi dhe shuarja e plotë e zjarreve në zonat si:
Mnelë e Madhe, Vau-Dejës
Karahaxhë, Finiq
Lagjen Nr. 6, Kavajë
Stajkë, Vau-Dejës
Porodinë, Korçë
Gur i Bardhë, Dimal
Radësh, Skrapar
Togëz, Librazhd
Mbrostar, Fier
Katundi i Ri, Kurbin
Mamëz, Kukës
Vatrat aktive dhe situata në terren
Aktualisht, katër vatra zjarri mbeten aktive, me situatën më shqetësuese në Parkun Kombëtar Lurë:
Qarku Vlorë:
“Sotiran”, ndërmjet Tragjasit dhe Dukatit (Orikum, Vlorë): Zjarri vazhdon në një sipërfaqe me shkurre dhe ferra, në lartësi të malit. Në ndihmë janë angazhuar Helikopteri Cougar dhe 40 forca ushtarake. Për momentin, zjarri nuk paraqet rrezik për zonat e banuara.
Qarku Berat:
Zgërbonjë (Poliçan): Puna për shuarjen e zjarrit të rënë më 5 korrik ka vijuar. Sot janë angazhuar 30 zjarrfikës me 7 automjete nga bashkitë Poliçan, Berat dhe Skrapar, si dhe 25 forca bashkiake. Gjithashtu, 20 trupa nga Forcat e Armatosura kanë mbërritur në mbështetje. Fokusi i sotëm ishte shuarja e trungjeve brenda perimetrit të përshkuar nga zjarri. Vatra mbetet aktive, por nuk përbën rrezik për zonat e banuara aktualisht.
Qarku Dibër:
“Fusha e Peladhisë” (Fushë Bulqizë, Bulqizë): Zjarri vazhdon në një sipërfaqe me shkurre dhe bimësi të rrallë, me intensitet të ulët. Ai nuk përbën rrezik për t’u përhapur në zona të pyllëzuara dhe është i shpërndarë në 3 vatra të ndryshme. Në terren kanë punuar 2 automjete zjarrfikëse, 11 efektivë, 7 forca të Shërbimit Pyjor dhe 3 vullnetarë. Sipërfaqja e prekur vlerësohet në rreth 17 hektarë.
“Liqeni i Luleve” (Parku Kombëtar Lurë, Dibër):
Kjo vatër, e ndezur më 7 korrik, paraqet situatën më kritike. Zjarri në një sipërfaqe pyjore me pisha dhe livadh, për shkak të intensitetit të erës, ka marrë përmasa të mëdha dhe po rrezikon përfshirjen e një pjese të madhe të Parkut Kombëtar Lurë. Sot, në vendngjarje janë angazhuar 6 punonjës të Administratës së Zonave të Mbrojtura, 5 forca nga njësia administrative dhe 25 vullnetarë (banorë të zonës). Një helikopter Cougar gjithashtu është angazhuar për të ndihmuar në shuarjen e flakëve. Për momentin, zjarri nuk paraqet rrezik për zona të banuara.
Qendra Kombëtare Operacionale e Emergjencave Civile po ndjek nga afër situatën dhe mbetet në gatishmëri për të ofruar mbështetje të menjëhershme nëse do të jetë e nevojshme.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.








