Për herë të parë Serbia dhe Kina do të kryejnë stërvitje të përbashkët ushtarake

Kina dhe Serbia do të zhvillojnë këtë muaj stërvitjen e parë të përbashkët ushtarake, duke thelluar bashkëpunimin e tyre në fushën e mbrojtjes.
Sipas Ministrisë kineze të Mbrojtjes, ushtritë e të dy vendeve do të mbajnë stërvitjen “Mbrojtësit e Paqes-2025” në provincën Hebei, në fund të korrikut.
Zëdhënësi Jiang Bin deklaroi se ushtrimet do të përfshijnë njësi të forcave speciale dhe synojnë rritjen e aftësive luftarake dhe forcimin e lidhjeve ushtarake mes dy vendeve.
Kjo është hera e parë që Kina zhvillon një stërvitje ushtarake me një vend evropian që nga bashkëpunimi me Bjellorusinë në vitin 2024.
Serbia, një aleate e ngushtë e Kinës në Evropë, nuk është anëtare e NATO-s dhe ka ruajtur lidhje të forta me Pekinin, veçanërisht pas bombardimeve të NATO-s në 1999.
Gjatë një vizite në Beograd vitin e kaluar, presidenti kinez Xi Jinping e quajti miqësinë me Serbinë një “miqësi të hekurt” dhe vendet ranë dakord për një partneritet strategjik gjithëpërfshirës.
Ende nuk është bërë e ditur nëse një stërvitje e ngjashme do të zhvillohet në territorin serb në të ardhmen.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





