Turistët europianë kryesojnë vizitat në “Shtëpinë me Gjethe”. Historia e regjimit komunist ngjall kuriozitet te të huajt

Turizëm | 1 vit më parë

“Shtëpia me Gjethe”, muzeu i ndodhur në qendër të Tiranës, vijon të jetë një nga destinacionet më të vizituara nga turistët e huaj në Shqipëri. Dikur selia e ish-Sigurimit të Shtetit, sot ky muze ngjall interes të veçantë për historinë e errët të regjimit komunist.

“Është pjesa e historisë që ata e njohin më pak. Shqipëria ka qenë shumë e izoluar gjatë komunizmit dhe ata nuk e njohin këtë regjim”, u shpreh Etleva Demollari, Drejtoresha e muzeut “Shtëpia me Gjethe”.

Në mesin e vizitorëve mbizotërojnë turistët europianë – italianë, francezë, gjermanë – por nuk mungojnë as ata nga Shtetet e Bashkuara. Për shumë prej tyre, e kaluara e izoluar e Shqipërisë dhe teknikat e survejimit të ekspozuara në këtë godinë mbeten një kuriozitet i pazakontë.

“Është hera e parë që vizitoj ‘Shtëpinë me Gjethe’ dhe gjithashtu hera e parë në Tiranë. Në fakt, dëgjova për këtë muze vetëm këtë mëngjes në hostelin ku po qëndroj dhe  më tërhoqi vëmendjen. Është ndryshe nga muzetë e tjerë që kam parë. Kur hyra, ishte pak e çuditshme por ai kombinimi mes hapësirës muzeale dhe temës së errët që trajton e bën shumë unik”

“Po, është hera ime e parë këtu.  Isha shumë i interesuar të shihja si ka qenë përvoja shqiptare gjatë komunizmit kjo edhe për shkak të degës që kam studiuar. Deri tani jam vërtet e impresionuar me mënyrën se si është shpjeguar gjithçka. Dhe është shumë e këndshme që informacioni është edhe në anglisht kështu mund ta kuptoj qartë.”

“Vij nga Republika Çeke, historia është padyshim e ngjashme me tonën në njëfarë mënyre, por edhe shumë ndryshe. Prandaj është interesante të shohësh paralelizmat mes të dyjave. Disa gjëra më duken shumë familjare, sidomos nga televizioni. Unë jam shumë e re për t’i kujtuar këto kohë, por janë disa sende që prindërit e mi ende mund t’i kenë në shtëpi. Kam parë shumë filma mbi këtë periudhë, dhe jam kurioze ta eksploroj këtë muze”, u shprehën disa nga turistët e huaj

Shumica janë vizitorë individualë, por nuk mungojnë as grupet e organizuara që udhëhiqen nga guida profesionale.

Gazetare: Katerina Kule

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme