Dështon konstituimi i Kuvendit të Kosovës, institucionet mbeten të bllokuara pas 5 muajsh

Kosovë | 1 vit më parë

Për të 53-ën herë me radhë ka dështuar përpjekja për konstituimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës. As seanca e sotme nuk prodhoi rezultat, pasi subjektet politike vazhduan të mos propozojnë anëtarë për komisionin zgjedhor për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit.

Kryesuesi i seancës, Avni Dehari njoftoi se seanca do të mbahet sërish sonte në orën 22:00.

Përfaqësuesit politikë kanë vijuar akuzat ndaj njëri-tjetrit për bllokimin institucional. Deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, u shpreh se vendi po mbahet peng prej gjashtë muajsh nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti, dhe Lëvizja Vetëvendosje.

 “Zvarritja e këtij procesi për gjashtë muaj është dëshmi se VV nuk i ka votat. Kemi një kandidaturë të fshehtë për kryetare Kuvendi, kemi mungesë të informacionit institucional. Kurti po i mban peng institucionet”, deklaroi Kadrijaj.

Ndërsa deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, shprehu pak optimizëm për një zgjidhje të shpejtë. Ai vlerësoi se me logjikën politike të tanishme dhe sipas tij me bllokadën nga Vetëvendosje, nuk pritet ndryshim as në javët në vijim.

“Duhet shfrytëzuar çdo minut për të krijuar institucione, por me këtë bllokadë nuk shoh gjasa që të kemi zgjidhje së shpejti,” tha Zemaj.

Kuvendi i Kosovës mbetet i pakonstituuar që nga zgjedhjet e fundit, duke lënë vendin me institucione në ngërç të thellë politik.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme