Në pritje të seancës së fundit për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, gazetarja e RTK: Kurti dhe Limaj kanë zhvilluar një takim
Deputetët e Kuvendit të Kosovës do të mblidhen mbrëmjen e sotme (26 korrik) në orën 22:00 për një tentativë të fundit të 54-t për konstituimin e Kuvendit, pas dështimit të përpjekjes së 53-të që u mbajt më herët këtë të shtunë.
Para nisjes së seancës, gazetarja e RTK-së, Edonë Podvorica, tha në një lidhje për RTSH 24 se kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti dhe Kreu i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj zhvilluan një takim sëbashku në ambientet e Kuvendit, pas dështimit të seancës së zhvilluar paradite.
Megjithatë, ajo shtoi se nuk dihet nëse mes tyre është arritur një marrëveshje që do të çonte në numrin e mjaftueshëm të votave që nevojiten për të zgjedhur kryetaren e re të Kuvendit dhe 5 nënkryetarët.
“Pas dështimit të seancës së sotme, kryeministri në detyrë Albin Kurti ka takuar Fatmir Limajn në Kuvendin e Kosovës. Të dy kanë dalë ndarazi nga Kuvendi dhe nuk dihet nëse është arritur ndonjë pajtueshmëri për atë që kërkohet, 61 vota për kryetaren e Kuvendit dhe 5 nënkryetarët, diçka që më pas i hap rrugën formimit të qeverisë së re të vendit”, u shpreh Podvorica.
Me vendimin e shpallur më 26 qershor, Gjykata Kushtetuese e Kosovës urdhëroi që procesi i konstituimit të Kuvendit të përfundojë brenda një afatit prej 30 ditësh. Ky afat përfundon sot në mesnatë. Pas mesnatës, deputetët nuk do të mund të marrin asnjë vendim apo veprim në drejtim të konstituimit të Kuvendit.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




