Vijon aksioni për lirimin e hapësirave publike,Rama: Qytetet po marrin frymë lirisht, vijon bashkëpunimi me bizneset

Në gjithë vendin vijon me intensitet aksioni për shembjen e ndërtimeve pa leje dhe lirimin e hapësirave publike në shërbim të komunitetit.
Kryeministri Edi Rama ka ndarë sot pamje nga operacionet në Tiranë dhe Shkodër, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit me qytetarët dhe bizneset.
“Këto janë pamje nga çdo lagje e Tiranës dhe kujt ankohet po këtu pse jo e po aty pse jo, i them kjo punë sapo ka nisur dhe nuk do të jetë as një javë as një muaj, po do të vijojë sa të jetë nevoja; jo vetëm në Tiranë dhe jo vetëm me prishjet, po edhe me risistemimet përmes zbatimit të një rregulloreje të re kombëtare për shfrytëzimin e hapësirës, si dhe të projekteve të Rilindjes Urbane, shkroi Rama në rrjete sociale.
Ai vuri në dukje se edhe në Shkodër, falë ndërhyrjeve dhe mirëkuptimit me bizneset, qyteti po “merr frymë lirisht”.
Autoritetet theksojnë se aksioni do të vijojë deri në lirimin e plotë të hapësirave të zëna në mënyrë të paligjshme.
Lirimi i hapësirave publike shihet si një hap i domosdoshëm për rritjen e shërbimit, funksionalitetit të çdo biznesi dhe sipërmarrjeje në përputhje me standardet kombëtare të mikpritjes dhe shërbimit jo vetëm në zonat turistike, por në çdo cep të Shqipërisë.
Gjatë gjithë muajit korrik por edhe më tej, lirimi i hapësirave publike do të jetë në fokus të angazhimit të pushtetit vendor dhe qendror në mbrojtje të komuniteteve.
“Mosbindja do ndëshkohet me gjoba”, ka paralajmëruar kryeministri.
Më herrët në një takim me kryetarët e bashkive në qytetin e Durrësit, Rama tha se është shumë e domosdoshme që të bëjnë një reformë të re të kontrollit mbi territorin dhe të ndërhyjnë në legjislacion.
“Duhet një qasje në këtë reformë me legalizimet, me masat shtesë që duhen marrë për të dekurajuar dhe për t’i dhënë një goditje përfundimtare fenomenit të ndërtimeve pa lejë që ka rënë shumë, por që është prezent, gjithsesi jo pak”, tha Rama.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




