Gara për kreun e BKH – Faza e fundit, 7 kandidatët i nënshtrohen intervistave

Aktualitet | 1 vit më parë

Shtatë kandidatët e mbetur në garë për postin e drejtorit të ri të Byrosë Kombëtare të Hetimit, i janë nënshtruar fazës përfundimtare të konkursit, që përfshin një intervistë para një paneli të përbërë nga kreu i SPAK, Altin Dumani, dhe prokurorët e posaçëm Arben Kraja dhe Behar Dibra.

Kjo intervistë vjen pas shtatë fazave të ndryshme testimesh, që përfshijnë teste logjike, poligrafi, shkrimin e një eseje dhe vlerësime të tjera, ku kandidatët janë analizuar në detaje.

Me përfundimin e intervistave, SPAK do të bëjë publike renditjen dhe rezultatet përfundimtare.

Pas kësaj, kandidatët do t’i nënshtrohen një procesi të thelluar verifikimi të figurës morale dhe pasurisë. Në përfundim, SPAK do të propozojë emrin e përzgjedhur për miratim në Këshillin e Lartë të Prokurorisë.

Byroja Kombëtare e Hetimit është një strukturë kyçe në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, duke mbështetur hetimet e SPAK me përgjime, vëzhgime dhe veprime të tjera.

Përzgjedhja e drejtorit të ri konsiderohet shumë e rëndësishme për efikasitetin e hetimeve në të ardhmen.

Gazetare: Lusi Përgjegji

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme