Fajtor për krime lufte në Kosovë – Dënohet me 15 vite burg anëtari forcave serbe që vrau tre shqiptarë
Me 15 vite burg e dënoi Gjykata Themelore në Prishtinë Millosh Pleskoviçin, duke e shpallur fajtor për krime lufte ndaj popullsisë në Kosovë. Ish anëtari i forcave serbe më 1 shtator të vitit 1998 vrau tre civilë shqiptarë në Prizren. Familjarët e viktimave, dy prej të cilëve vëllezër binjakë e cilësuan vendimin e gjykatës shumë të ulët.
“Mi ka mbytur dy djemtë Milloshi, kanë qenë 29 vjeç. Me duar thatë kanë shkuar në mal, Milloshi i ka mbytur. Shpirti po më digjet. Shumë pak e kanë dënuar”, u shpreh Mihrije Dacaj, nëna e binjakëve të vrarë në 1998.
Ndërkaq, sipas avokatit të palës së dëmtuar diskriminimi më i madh në këtë rast është se një kriminel lufte u gjykua me ligjin e Jugosllavisë.
“Diskriminim më i madh është sepse është gjykuar një kriminel lufte më ligjin e Jugosllavisë. Tribunali i Hagës parasheh dënime maksimale. Ky dënim 15 vjet është shumë pak, në raport me rrethanat dhe masakrat. Pra, ia ka masakruar dy fëmijë binjakë”, tha Gent Gjini, Avokat i familjarëve të viktimave.
Pas vendimit për dënimin e Millosh Pleskoviçit reagoi edhe e ashtuquajtura Zyrë për Kosovën në Qeverinë serbe, duke thënë se vendimi i gjykatës themelore të Prishtinës është i pabazuar dhe politik. Gjatë luftës në Kosovë në vitet 1998 – ‘99 u vranë mbi 13 mijë persona e mijëra të tjerë u zhdukën. 1600 prej tyre, kryesisht shqiptarë ende nuk janë gjetur.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




