Rama kritika ndaj gjyqtarit Balliu: Pallatin pa leje të konfiskuar në Tiranë, e quajti pronë të ligjshme

Pas prokurores Elsa Gjeli, kryeministri Edi Rama ka bërë publik dhe ka kritikuar vendimin e gjyqtarit Balliu, i cili sipas tij ka konsideruar si pronë legjitime një pallat pa leje në kryeqytet të konfiskuar nga shteti dhe të vendosur në funksion të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës.
Kryeministri ka deklaruar se nuk do të tolerohet asnjë prokuror e gjyqtar që vendosin kundër drejtësisë, ndërsa shtoi se këto dy raste nuk janë të vetmit në vendin tonë që veprojnë kundër interesave të shtetit e komunitetit.
“Fatkeqësisht as Gjeli as Balliu, nuk janë të vetmit prokurorë e gjykatës që po mbajnë gjallë në sistemin tonë të drejtësisë forcën e vjetër brutale të Antiligjit e të Antishtetit në dëm të interesave të shtetit, të komunitetit e të njerëzve të zakonshëm të këtij vendi, sa herë që përballë tyre gjenden subjekte të biznesit të madh”, shkruan Rama në rrjetin social Facebook.
Ndodhur përballë këtyre rasteve, Kryeministri kritikoi institucionet e pavarura të qeverisjes së gjyqësorit e kontrollit që sipas tij po provojnë inekzistencën e tyre përballë abuzimeve.
“Pyetja që rilind në vend të ulërimës së revoltës edhe në këtë rast është, ku janë institucionet e pavarura të qeverisjes së gjyqësorit e të kontrollit të këtyre shpërdoruesve të pavarësisë së drejtësisë, të cilat prej kohësh po provojnë inekzistencën e tyre në raport me abuzime ulëritëse prokurorësh e gjykatësish të çdo niveli?”, shkruan ai.
Rama theksoi se fokusi i qeverisë në mandatin e katërt është Shqipëria në Bashkimin Evropian dhe beteja e vazhdueshme me rastet abuzive “të gjyqtarëve e prokurorëve nuk do të ndalen.
“Një gjë është pak po e sigurtë: Mandatin e fortë për ta bërë Shqipërinë 2030 shtet të së drejtës, anëtar të Bashkimit Europian, shqiptarët nuk e na e dhanë për të ngritur duart lart përballë Gjelave të prokurorive e Ballinjve të gjykatave, qoftë kur shqelmojnë Republikën qoftë kur grushtojnë njerëzit që meritojnë drejtësi, vetëm drejtësi dhe as më shumë e as më pak se sa drejtësi. Drejtësia vonon po nuk harron, thotë Populli”, tha ai.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




