SPAK çon në gjyq 6 persona për atentate, drogë dhe armë, pushon çështjen për dy të pandehur

SPAK ka përfunduar hetimet për dosjen penale nr. 59/2 të vitit 2022, duke çuar për gjykim 6 persona të dyshuar për vrasje, trafik droge e armësh, dhe pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal.
Në mesin e të pandehurve janë Albert Zaja, i akuzuar për tentativë vrasjeje ndaj Durim Bamit dhe Ervin Kodrës në 2020, si dhe përgatitje për atentatin ndaj Hamza Terziut, Edison Muceku, i ekstraduar nga Britania në mars 2025; Elvis dhe Armando Ndreca, si dhe Deivis Bajramaj dhe Adrian Pikli, ky i fundit ekstraduar nga Gjermania.
Ngjarjet hetuara ndaj tyre përfshijnë atentate të dështuara, trafik droge në Lezhë dhe tregti të paligjshme armësh gjatë viteve 2020–2021.
Ndërkohë, SPAK ka kërkuar pushimin e çështjes ndaj Silvio (Roland) Cara dhe Elmir Tufa, të hetuar për vrasjen me paramendim të Shkëlzen Kastratit në Fier në shkurt të vitit 2021.
Nga hetimet, dhe në bazë të bisedave të realizuara nga përdoruesit e aplikacionit SkyECC mes anëtarëve të një grupi kriminal, rezultoi se shënjestra fillestare kishte qenë shtetasi Kelmend Kastrati, por gabimisht u ekzekutua vëllai i tij, Shkëlzen Kastrati. Prokurorët arritën të evidentojnë personat e interesuar dhe porositësit, bashkë me ekzekutorët, por hetimi nuk mundi të provojë që të pandehurit Cara dhe Tufa ishin bashkëpunëtorë të grupit apo kishin marrë pjesë në realizimin e veprave penale.
Hetimet për pjesëtarët e tjerë të grupit kriminal për këtë vrasje vijojnë në një procedim të veçuar.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




