“Do të paguajmë arbitrazhin”, kompania Bankers e angazhuar për të vijuar partneritetin me qeverinë shqiptare
Pas një periudhe të shoqëruar me sfida ligjore dhe procedura ndërkombëtare, kompania Bankers Petroleum Albania Ltd. ka konfirmuar publikisht përkushtimin për të vijuar operimin në Shqipëri si partner afatgjatë në sektorin energjetik.
Në një deklaratë zyrtare, kompania thekson gatishmërinë për të zbatuar pa rezerva vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Arbitrazhit (ICC), të datës 7 qershor 2024, i cili është mbështetur edhe nga Gjykata e Apelit e Shqipërisë më 1 korrik 2025.
“Ekipet tona ligjore janë plotësisht të përgatitura për të punuar së bashku me institucionet përkatëse shqiptare për të siguruar ekzekutimin gjithëpërfshirës të këtij vendimi, në përputhje me standardet ndërkombëtare për të mbrojtur investimet e huaja dhe për të siguruar zbatimin me sukses të një projekti kryesor energjetik në Evropën Kontinentale, që pasqyron interesat e përbashkëta kombëtare dhe strategjike të Shqipërisë,” deklaroi kompania.
Në lidhje me hetimet penale të nisura nga autoritetet shqiptare më 2 korrik, kompania shprehet se po i ndjek me seriozitet dhe angazhim të plotë institucional, duke theksuar besimin në integritetin dhe paanshmërinë e sistemit gjyqësor shqiptar.
Në përmbyllje, Bankers Petroleum rikonfirmon mbështetjen për platformën “Shqipëria 2030”, duke e konsideruar veten jo vetëm si operator energjetik, por si një partner strategjik në zhvillimin e qëndrueshëm të vendit.
Gazetar: Omer Saraçi
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




