Shkodra, dy muaj pa raste me murtajë. Vijon monitorimi në 3 vatrat ku u shfaq infeksioni në qershor

Sociale | 1 vit më parë

Prej gati dy muajsh, në qarkun e Shkodrës nuk është regjistruar asnjë rast i ri i murtajës së bagëtive të imta, sëmundje kjo që u evidentua për herë të parë në nivel kombëtar pikërisht në këtë qark.

Edhe pse afati i përcaktuar për daljen nga karantina, i cili parashikon 31 ditë pa raste të reja, është tejkaluar, tre vatrat e infeksionit të evidentuara në muajin qershor vijojnë të qëndrojnë nën monitorim të rreptë nga grupet e Task-Forcës.

“Sipas procedurave teknike, periudha e karantinimit është 31 ditë nga rasti i fundit, por për shkak se kjo është një sëmundje e re në Shqipëri, kufizimet e lëvizjeve sjellin në dëme tek tregtarët por këto kufizime sjellin më pak dëme se sa vet sëmundja”, u shpreh Mark Preçi, specialist në  Shërbimin Veterinar Shkodër.

Sipas specialistëve veterinarë, dëmet e shkaktuara nga murtaja janë të konsiderueshme, jo vetëm në zonat e prekura, por në të gjithë sektorin e blegtorisë, për shkak të kufizimeve të nevojshme që janë vendosur për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të sëmundjes.

“Kemi pasur shumë import të kafshëve të imta nga jashtë sepse ka shumë interes ekonomik dhe në këtë kohë është frenuar”, tha Preçi.

Në tre fermat ku u shfaq murtaja te ruminantët e vegjël, dy në bashkinë e Shkodrës dhe një në Malësinë e Madhe, janë asgjësuar mbi 500 krerë bagëti të imta. Kjo masë drastike është konsideruar e domosdoshme për të frenuar përhapjen e infeksionit.

Gazetar: Adrian Hoti

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme