Aksident në Levan–Fier, 1 viktimë dhe 5 të plagosur

Një aksident i rëndë me një viktimë dhe disa të plagosur ndodhi të mërkurën paradite në Levan të Fierit.
Dy automjete, njëra veturë dhe tjetra fuoristradë, po lëviznin në të njëjtin drejtim, kur u përplasën me njëra-tjetrën në rrethrrotullimin që lidh bajpasin e Fierit me Levanin dhe dy autostradat e jugut të vendit. Shkak dyshohet të jetë bërë humbja e kontrollit nga drejtuesit i mjetit fuoristradë, që lëvizte pas veturës.
Si pasojë e përplasjes së fortë, njëri nga mjetet përfundoi në kanalin e rrugës. Drejtuesi i veturës, 51-vjeçari Luftar B. mbeti i vdekur nga goditja, ndërsa bashkëshortja e tij ndodhet në spital jashtë rrezikut për jetën. Ndërkohë tre shtetasit që udhëtonin në fuoristradë, së bashku me drejtuesin e mjetit, u dërguan me lëndime në spitalin e Fierit, ku thuhet se janë në gjendje të qëndrueshme shëndetësore.
Burime nga Policia Rrugore thanë se drejtuesi i mjetit fuoristradë deklaroi se humbi ndjenjat për shkak të një problemi shëndetësor.
“Rreth orës 11:00, në vendin e quajtur “Rotondo e Levanit”, automjeti me drejtues shtetasin I. P., është përplasur me automjetin me drejtues shtetasin L. B., 51 vjeç. Si pasojë e përplasjes ka humbur jetën shtetasi L. B. dhe kanë shkuar në spital për të marrë mjekim shtetasi I. P. dhe katër pasagjerë“, njoftoi Policia.
Grupi hetimor po punon për zbardhjen e dinamikës së këtij aksidenti të rëndë me pasoja fatale.
Gazetare: j.k. / Laureta Roshi
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




