Gjirokastër – Tolerancë zero ndaj zjarrvënësve, kërkohet sensibilizimi i qytetarëve për të shmangur katastrofën mjedisore
“Tolerancë zero ndaj piromanëve” ishte mesazhi kryesor i dalë nga takimi i zhvilluar në institucionin e prefektit të qarkut Gjirokastër, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të Ministrisë së Brendshme, drejtuesve të shërbimit zjarrfikës, përfaqësuesve të emergjencave civile dhe drejtuesve të Agjencisë Kombëtare të Mjedisit.
Në takim morën pjesë gjithashtu kryetarët dhe nënkryetarët e shtatë bashkive të qarkut, që diskutuan për problematikat zgjidhjen e problematikave.
“… parandalimin e të gjitha ngjarjeve të emergjencave civile, reagimin në kohën më të shpejtë dhe përballimin e tyre pa asnjë kosto, pa asnjë risk, pa asnjë problem për pronën private e publike, dhe mbi të gjitha për jetën e njerëzve në rajonin e qarkut të Gjirokastrës,” u shpreh prefekti i Gjirokastrës, Odise Kote.
Këshilltari i ministrit të Brendshëm, Flamur Mamaj, theksoi se përballimi i zjarreve nuk është vetëm detyrë e institucioneve, por kërkon ndërgjegjësim dhe përfshirje aktive të komunitetit.
“Çdo çështje e denoncuar, e raportuar dhe çdo arrestim i kryer nga forcat e rendit ta trajtojnë me seriozitet si një akt jo vetëm kriminal, por në shumë raste, duke parë edhe pasojat katastrofike që sjell zjarri, si djegie shtëpish, humbje jetësh…” deklaroi z. Mamaj.
Nga ana tjetër, drejtori i Shërbimit të Përgjithshëm Zjarrfikës, Arben Cara, vuri në dukje se sensibilizimi i popullatës dhe sidomos i blegtorëve, si dhe lajmërimi në kohë i çdo vatre zjarri, janë kyçe për të shmangur katastrofa mjedisore, veçanërisht në zonat e thella malore.
“Vitin e ardhshëm të kemi një infrastrukturë më të moderuar, në mënyrë që aksesimi i mjeteve të jetë në kohë, sepse në çdo rast kur ka ndodhur, vatrat e zjarrit janë menaxhuar në kohë dhe problemet kanë qenë shumë të vogla,” shtoi z. Cara.
Qarku i Gjirokastrës, gjatë këtij sezoni veror, është përballur me disa vatra zjarri. Falë ndërhyrjes në kohë të shërbimit zjarrfikës, këto situata janë vënë nën kontroll, duke parandaluar përhapjen dhe dëmet më të mëdha.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




