Inva Mula koncert në Durrës, “Meloditë e Mesdheut” ngjiten në skenën e Amfiteatrit Antik

Muzikë | 1 vit më parë

Në ambientin unik të Amfiteatrit antik të Durrësit, muzika, arti dhe historia u takuan në një koncert që përcolli emocione të forta dhe përjetime të rralla. Inva Mula, sopranoja shqiptare me famë botërore e cila ngjitej për herë të parë në skenën e Amfiteatrit Antik kishte në krah instrumentistët virtuozë, vëllezërit Ekland Hasa në piano dhe Redi Hasa në violonçel, si dhe korin e fëmijëve “Okarina”. Repertori dhe çdo detaj ishte menduar në harmoni me vendin dhe qytetin ku u mbajt koncerti.

“Nisim një udhëtim i cili fillon nga Shqipëria, në Francë, në Itali, në Greqi, në Gjermani, Spanjë, në Turqi, Egjipt për të ardhur përsëri për ta mbyllur në Shqipëri”, u shpreh sopranoja Mula.

Instrumentisti i njohur Ekland Hasa ka bërë dhe orkestrimin e shumë këngëve që vijnë nga Turqia, Italia, Spanja, Kroacia dhe ndau emocionet e këtij koncerti të veçantë, ku nga njëra anë performon përkrah Inva Mulës dhe nga ana tjetër, ngjitet për herë të parë në skenën e Durrësit.

“Është një emocion jashtëzakonisht i madh për dy arsye, dhe arsyeja e parë është se jemi të thirrur nga diva e muzikës shqiptare, dhe e dyta është një gëzim shumë i madh sepse për mua është hera e parë që performojë në Durrës”, u shpreh pianisti i njohur.

Publiku, mes qytetarëve dhe turistëve të shumtë, përjetoi një udhëtim muzikor në brigjet e Mesdheut, nën tingujt e melodive më të bukura të këtij rajoni. Një ngjarje artistike që do të mbetet gjatë në kujtesën e të pranishmëve, duke e kthyer Durrësin në një skenë të vërtetë emocioni dhe kulture.

Gazetare: N. Spahiu

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme