Takimi Witkoff-Putin, Rubio: Rusia dhe Ukraina nuk janë gati për takimin me Trump

Pak pas takimit të mbajtur mes të dërguarit të Posaçëm të presidentit amerikan, Steve Witkoff, me presidentin rus Vladimir Putin në Moskë, Sekretari i Shtetit Marco Rubio ka deklaruar se Rusia dhe Ukraina nuk janë ende gati për një takim me Donald Trump.
Ai u shpreh se takimi prodhoi një kuptim më të mirë të kushteve në të cilat Rusia do ishte e gatshme t’i jepte fund luftës në Ukrainë, ndërsa theksoi se vetëm nëse të dyja palët bien dakord për kushtet do mund të realizohen një takim me Trump mes Putin e Zelenskyt.
“Mendoj se ajo që kemi është një kuptim më i mirë i kushteve në të cilat Rusia do të ishte e përgatitur për t’i dhënë fund luftës. Tani duhet ta krahasojmë këtë me atë që ukrainasit dhe aleatët tanë evropianë, por ukrainasit kryesisht, sigurisht, janë të gatshëm ta pranojnë dhe ajo që përpiqesh të shohësh është se sa larg mund t’i afrosh këto dy pozicione? Si mund t’i afrosh këto dy pozicione me njëra-tjetrën? Nëse mund të arrijmë atë që ukrainasit do ta pranojnë dhe atë që rusët do ta pranojnë mjaftueshëm, atëherë mendoj se ekziston mundësia që presidenti të zhvillojë një takim që përfshin si Putinin ashtu edhe Zelenskyn për të provuar ta mbyllin këtë çështje. Pra, duhet të afrohemi në këtë drejtim”, deklaroi Rubio në Fox Business Network.
Para deklaratave të Rubio, vetë presidenti Trump e përshkroi takimin mes Witkoff dhe Putin, si “jashtëzakonisht produktiv”, ndërsa shtoi se ishte bërë “një përparim i madh”.
“Të gjithë janë dakord se kjo luftë duhet të përfundojë dhe ne do të punojmë drejt këtij qëllimi në ditët dhe javët në vijim,” shkroi Trump.
Sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, tha gjithashtu se Rusia kishte treguar interes për një takim me Trumpin.
“Siç tha Presidenti Trump më herët sot në TRUTH Social, u bë përparim i madh gjatë takimit të të Dërguarit të Posaçëm Witkoff me Presidentin Putin. Rusët shprehën dëshirën e tyre për t’u takuar me Presidentin Trump dhe Presidenti është i hapur për t’u takuar si me Presidentin Putin ashtu edhe me Presidentin Zelensky. Presidenti Trump dëshiron që kjo luftë brutale të marrë fund”, tha Leavitt në një deklaratë.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



