Gjigant teknologjik, por vendi vijon me fakse dhe vula. Pse Japonia ngeci në kohë?

Imazhi i Japonisë si një vend futurist me robotë dhe trena me shpejtësi të lartë bie ndesh me realitetin e përditshëm të burokracisë, faksit, disqeve dhe vulave me bojë, një trashëgimi e vjetëruar që ka mbetur e pandryshuar prej dekadash. Pas një periudhe të gjatë apati, pandemia e Covid-19 e bëri të qartë se kjo vonesë digjitale ishte një problem serioz, duke e detyruar qeverinë të ndërmarrë hapa për të modernizuar vendin.
Dikur lider i inovacionit me kompani si Sony dhe Nintendo, Japonia humbi ritmin me rritjen e kompjuterëve dhe internetit. Sipas ekspertëve, ky stanjacion erdhi si pasojë e një kombinimi faktorësh:
Zbehja e harduerit
Ndërsa bota kaloi në ekonomi të orientuara nga softueri, Japonia mbeti e fokusuar te hardueri.
Mungesa e investimeve
Investimet në teknologjinë e informacionit dhe komunikimit (TIK) ishin të pamjaftueshme.
Kultura konservatore
Kompanitë japoneze kanë një kulturë të shmangies së rrezikut, me procese hierarkike dhe vendimmarrje të ngadaltë.

Popullsia e moshuar
Një popullsi me një moshë mesatare të lartë shfaqi mosbesim ndaj teknologjive të reja dhe preferencë për metodat tradicionale si vulat hanko (vula personale me bojë).
Pandemia, “zgjimi” i hidhur
Pandemia e Covid-19 shërbeu si një katalizator për ndryshim. Ajo zbuloi mangësitë e sistemit, si mbështetja te fakset e shkruara me dorë për të raportuar rastet e virusit, apo dërgimi aksidental i fondeve të ndihmës në një llogari të vetme bankare përmes një diskete.
Takuya Hirai, ministri i parë i Transformimit Dixhital, e quajti këtë dështim “disfatë digjitale”.
Si përgjigje, qeveria krijoi Agjencinë Digjitale në vitin 2021, me detyrën për të modernizuar shërbimet publike dhe për të hequr gradualisht teknologjinë e vjetër. Një fitore e madhe ishte eliminimi i disqeve në të gjitha sistemet qeveritare, një proces që kërkoi heqjen e më shumë se 1,000 rregulloreve.

E ardhmja digjitale
Pavarësisht pengesave kulturore dhe burokratike, ekspertët janë optimistë. Kompanitë dhe qytetarët janë gjithnjë e më të etur për digjitalizim. Konsulentët e teknologjisë po ndihmojnë bizneset të bëhen më efikase, sidomos në një kohë kur popullsia po tkurret. Ndryshimet shihen edhe në rritjen e pagesave pa para në dorë dhe shërbimeve online.
Ekspertët vlerësojnë se nëse ky ritëm vazhdon, Japonia mund të arrijë nivelin e vendeve perëndimore brenda pesë deri në dhjetë vjet. Megjithatë, sfida mbetet e vazhdueshme, pasi teknologjia evoluon me shpejtësi.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





