Goditet rrjeti shqiptar i krimit të organizuar, Europol: Trafikonin kokainë nga Amerika Latine në BE, 10 të arrestuar

Një seri bastisjesh të kryera në datat 7–8 gusht në Shqipëri kanë çuar në arrestimin e 10 anëtarëve të dyshuar të një rrjeti shqiptar të krimit të organizuar të përfshirë në trafik kokaine dhe pastrim parash.
Goditjet ndaj rrjetit kriminal me bazë klanore u ekzekutuan nga forcat shqiptare të rendit – SPAK, Byroja Kombëtare e Hetimit dhe Policia e Shtetit – në koordinim me kolegët e tyre nga Belgjika, Franca, Gjermania, Italia dhe Holanda, me mbështetjen e Europolit.
Hetimet kanë treguar se rrjeti ka lidhje me organizata të tjera ndërkombëtare poli-kriminale me rrezik të lartë, në të gjithë BE-në dhe më gjerë. Grupi dërgonte ngarkesa shumëtonëshe me kokainë nga Amerika Latine në portet kryesore të BE-së, si në Hamburg dhe Roterdam. Në një rast, një nga këto dërgesa i siguroi një individi më shumë se 40 milionë dollarë shpërblim. Ndër detyrat e kreut të grupit ishte organizimi i dërgesave dhe investimi në blerjen e sasive të mëdha të kokainës, njoftoi Europol.

Pas arrestimit të një anëtari kyç të organizatës nga autoritetet shqiptare në fund të qershorit të këtij viti, kontrollet çuan gjithashtu në sekuestrimin e pasurive të konsiderueshme, duke përfshirë një hotel, prona dhe biznese të ndryshme, si dhe një grumbull provash fizike dhe digjitale.
15 urdhrat e kërkimit të kryera çuan në:
- 10 arrestime;
- Sekuestrimi i pasurive të paluajtshme, si rezort turistik, vila, apartamente, parcela toke si dhe automjete dhe aksione në kompani me vlerë disa milionë euro;
- Sekuestrimi prej 111.800 euro, 4.000 dollarë, 880.000 lekë në para kesh.

Operacioni i fundit është rezultat i sekuestrimit të platformës së koduar të komunikimeve, Sky ECC, në vitin 2021.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




