24 vatra aktive në vend, disa banesa të djegura. Në Delvinë, Gramsh dhe Nartë, situatë kritike. Ministria e Mbrojtjes: Evakuim urgjent të banorëve  

Aktualitet | 1 vit më parë

Vendi po përballet me një numër të konsiderueshëm zjarresh, ku gjatë 24 orëve të fundit nga 64 vatra të evidentuara, 24 prej tyre janë ende aktive. Në luftën kundër flakëve, janë angazhuar më shumë se 10 mijë forca nga të gjitha strukturat e emergjencave dhe mbrojtjes civile, ndërsa në disa zona ku rreziku i përhapjes së flakëve drejt zonave të banuara është i lartë po ndërhyhet edhe nga ajri.

Vatrat më të rrezikshme të zjarrit vijojnë të mbeten në Delvinë dhe Gramsh, ku përtej një përmirësimi të situatës krahasuar me orët e natës, sërish flakët mbeten të fuqishme dhe po përhapen të ndihmuara nga era dhe terreni i vështirë.

Ministria e Mbrojtjes ka bërë thirrje urgjente për evakuim të banorëve në fshatin Nartë dhe Skënderbegas në Gramsh dhe Delvinë për shkak të rrezikshmërisë që paraqesin flakët drejt zonave të banuara.

“Për shkak të përhapjes së shpejtë të zjarreve në Nartë, Skënderbegas (Gramsh) dhe Delvinë, u bëjmë thirrje banorëve të ndjekin udhëzimet e ekipeve të emergjencës dhe të evakuohen menjëherë drejt zonave të sigurta”, thuhet në njoftimin e ministrisë.

Në Delvinë, zjarri i depërtuar nga Syri i Kaltër ka përfshirë fshatrat Pecë, Sirakat dhe Kardhikaq, duke arritur deri pranë kurorës së bashkisë. Flakët u shtrinë nga Vllahati drejt Kakodhiqit, duke shkaktuar djegien e 5 shtëpive, prej të cilave 4 të pabanuara. Zjarri është zhvendosur mbi fshatin Vllahat, ku po ndërhyhet nga ajri me helikopterë çek dhe sllovak.

Në Finiq, vazhdon aktive vatra që ka prekur zonën nga Syri i Kaltër deri në pllajën e malit të Gjerë dhe Sopotit. Në Bistricë, vatra po mbahet nën monitorim. Në Parkun e Rëzomës, mbi tunelin e Skërficës, zjarri vijon, por terreni i vështirë nuk lejon ndërhyrje.

Në Kullollas dhe njësinë Skënderbegas në Gramsh, zjarri ka marrë përmasa të mëdha dhe ka disa dëme në banesa. Situata mbetet e rëndë dhe po ndërhyhet nga ajri. Në Mukaj e Sojnik, zjarri vijon në sipërfaqe me shkurre dhe ferra.

Në Hormovë të Tepelenës, rreziku për banesat është shmangur, por puna për shuarjen vazhdon. Në Turan, flakët janë përhapur drejt Lekelit dhe Koderit, duke djegur dy stalla dhe kafshë. Në terren kanë operuar forca zjarrfikëse, policore, bashkiake, vullnetare dhe ushtarake, si dhe helikopterë çek e sllovak.

Në Gërmenj, në Bashkinë Kolonjë, zjarri në pyjet me pisha zhvillohet në terren të vështirë, me shpërthime municionesh në perimetrin e flakëve. Ndërhyrja e drejtpërdrejtë është e vështirë dhe po mbahet nën mbikëqyrje.

Në Xeth, të Bashkisë Fushë Arrëz, ka një vatër aktive ku po digjet një zonë me pisha. Situata paraqitet më e qetë, por puna vijon për izolimin e plotë.

Në malin e Bërzhitës dhe fshatin Durishtë, zjarri është mbajtur nën kontroll me ndërhyrje nga ajri dhe toka. Në zonën Arbanë (Damjan e Isufaj), flakët morën përmasa të mëdha dhe u ndërhy me helikopter kroat. Në Ferraj dhe Zall-Herr, vatrat po mbahen nën monitorim, ndërsa në Kryevidh të Rrogozhinës janë djegur rreth 100 ha dhe dy shtëpi të pabanuara.

Në malin me Gropa, Biz të Martaneshit, zjarri vazhdon në zonë të mbrojtur, larg banesave.

Forcat e emergjencave civile, ushtarake dhe vullnetarët janë angazhuar maksimalisht për të parandaluar çdo rrezik ndaj jetës dhe pasurisë së qytetarëve. Aktualisht, situata po stabilizohet, por ende mbeten disa vatra aktive që kërkojnë vëmendje të vazhdueshme.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme