Lufta Ukrainë-Rusi, Trump takohet sot me Vladimir Putin. Mungon Zelensky, nisin protestat në mbështetje të Kievit

Presidenti amerikan Donald Trump do të takohet këtë të premte (15 gusht) në Alaskë me homologun rus Vladimir Putin, me qëllim ndërmjetësimin e një marrëveshjeje mes Rusisë e Ukrainës, që do t’i jepte fund luftës mbi 3-vjeçare.
Por në takimin e sotëm mes Putin e Trump mungon një prej palëve kyçe, Presidenti ukrainas Volodyr Zelensky.
Ky i fundit ka deklaruar se çdo marrëveshje e arritur pa përfshirjen e vendit të tij do të jetë “vendim i vdekur”. Aleatët e tij evropianë kanë thënë gjithashtu se nuk do të pranojnë një marrëveshje me të cilën Ukraina nuk pajtohet.
Udhëheqësi ukrainas do të presë pranë telefonit një telefonatë nga Trump për të mësuar nëse, siç shpreson presidenti amerikan, Putin është i gatshëm të arrijë një “marrëveshje të drejtë”.
Në samitin e sotëm, që pritet të nisë në orën 21:00 me orën në Shqipëri, do të marrin pjesë Presidenti Trump, Zv.presidenti J. D. Vance, Sekretari i Shtetit Marco Rubio, Sekretari i Thesarit Scott Bessent dhe i dërguari special Steve Witkoff. Nga ana e Rusisë, prezentë në samit do të jenë Presidenti Putin, Ministri i Mbrojtjes Andrey Belousov, Ministri i Jashtëm Sergey Lavrov, Ministri i Financave Anton Siluanov, ndihmësi i presidentit Yuri Ushakov, dhe i dërguari special i presidentit Kirill Dmitriev.
Trump deklaroi një ditë më parë se ka 25% shanse që bisedimet të dështojnë.
Sakaq, në vijën e frontit, Ukraina është duke u përgatitur kundër një sulmi të forcave ruse në rajone kyçe në ditët e fundit. Ukraina urdhëroi evakuimin e familjeve me fëmijë nga qyteti Druzhkivka në rajonin e Donetskut.
E teksa sytë sot janë drejtuar nga takimi Trump-Putin, protestuesit në Ukrainë kanë dalë në mbështetje të vendit të tyre, në Anchorage përpara samitit.
Protestuesit valëvitën flamuj ukrainas, ndërsa shpalosën gjithashtu një banderolë të madhe me mbishkrimin “Alaska qëndron me Ukrainën”.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




