Ligji i ri për tregtinë e sipërmarrjen, kërkesa për shmangien e “shokut” të anëtarësimit
Ditën që Shqipëria do të quhet shtet anëtar në Bashkimin Europian, mallrat e prodhuara në vend do të duhet të qarkullojnë lirshëm jnë BE. “Made in Europe” për mallrat aktualisht “Made in Albania” kërkon standarde rigoroze sipas sipërmarrësit dhe ekspertit të fushës, Alban Zusi.
“Standardet shpeshherë kanë edhe kosto materiale me vete, sepse plotësimi i tyre shoqërohet edhe me investime fizike, por kanë veçanërisht kosto të ekipit, trajnimit të njerëzve, të krijimit të një kulture të re të punës, kosto të krijimit të punës, ku çdo gjë dokumentohet, shkruhet dhe regjistrohet. Disa lloj asistencash nuk mund t’i gjesh ndoshta në Shqipëri për të arritur ato standarde që kërkohen, veçanërisht kur flasim për ato mjedisore, por edhe të sigurisë ushqimore,” thotë eksperti.
Dokumentimi i prodhimit mban peshën qendrore të procesit, ndërkohë që sipas Zusit duhet shmangur sa mundet shoku për bizneset.
“Mendoj që nuk duhet të ecim me parimin që, ok, kur të vijë momenti do të ketë një goditje shok mbi bizneset dhe bizneset do e zgjidhin”, thotë ai.
Aktualisht biznesi është pozicionuar në pritje të një ligji të ri.
“Pritet që të ketë një ligj të ri të tregtisë dhe të organizimeve të bizneseve në përgjithësi. Ky ligj i ri në njëfarë mënyrë ka neutralizuar aktivitetet e organizuara të bizneseve. Bizneset gjenden në një fazë ku nuk po organizohen për të qenë partnerë përballë, por për të qenë partnerë në qeveri në këto procese”, nënvizoi eksperti Zusi.
Gazetare: Entela Komnino
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




