Netanyahu akuzon Macronin: Njohja e shtetit palestinez nxit antisemitizmin. Franca e hedh poshtë

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, ka akuzuar Presidentin francez Emmanuel Macron se deklaratat e tij për njohjen e një shteti palestinez kanë nxitur antisemitizmin në Francë dhe kanë inkurajuar Hamasin. Në një letër të datës 17 gusht 2025, e publikuar nga agjencia AFP, Netanyahu i shprehet Macronit se “antisemitizmi është shumëfishuar” pas deklaratave të tij dhe se “njohja e shtetit palestinez shpërblen terrorin e Hamasit”.
“Jam i shqetësuar me rritjen alarmante të antisemitizmit në Francë dhe mungesën e veprimeve vendimtare nga qeveria juaj për t’u përballur me të. Gjatë viteve të fundit, antisemitizmi ka prekur qytetet franceze. Që nga deklaratat tuaja publike që sulmojnë Izraelin dhe sinjalizojnë njohjen e një shteti palestinez, antisemitizmi është rritur ndjeshëm. Kjo shpërblen terrorin e Hamasit, ngurtëson refuzimin e Hamasit për të liruar pengjet, i trimëron ata që kërcënojnë hebrenjtë francezë dhe inkurajon urrejtjen ndaj hebrenjve që tani po ju përndjek rrugëve tuaja”, shkruhet në letrën e Netanyahut.
Kryeministri izraelit përmendi një sërë incidentesh të dhunshme të ndodhura muajt e fundit në Francë, duke përfshirë sulmin ndaj një burri hebre në Livry-Gargan, vandalizmin e zyrave të kompanisë ajrore izraelite “El Al” në Paris, zjarrvënien e një shkolle hebraike në Lyon dhe sulme ndaj rabinëve në kryeqytet.
“Këto nuk janë incidente të izoluara, por një murtajë që po përhapet”, shkroi Netanyahu.
Franca reagoi menjëherë duke hedhur poshtë akuzat. Ministri francez për Evropën, Benjamin Haddad, deklaroi në një intervistë për BFMTV se “Franca nuk ka mësime për të nxjerrë në luftën kundër antisemitizmit” dhe theksoi se kjo çështje “nuk mund të shfrytëzohet politikisht”.
“Do të doja të thoja shumë qartë dhe me vendosmëri se kjo çështje e antisemitizmit, e cila po helmon shoqëritë tona evropiane nuk mund të shfrytëzohet”, tha Haddad.
Në fund të korrikut, Presidenti Macron njoftoi se Franca do të njihte zyrtarisht shtetin palestinez gjatë një takimi të OKB-së në shtator, duke iu bashkuar vendeve që kanë ndërmarrë këtë hap pas ofensivës së Izraelit në Gaza gati dy vite më parë, pas sulmit të Hamasit.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




