Korçë – Familjet kujdestare, kjo mënyrë kujdesi për fëmijët pa mbështetje prindërore
Në Korçë po zbatohet modeli i kujdesit alternativ për fëmijët përmes shërbimit të familjeve kujdestare, një program pilot që po zbatohet prej disa vitesh.
Qëllimi është largimi i fëmijëve nga institucionet rezidenciale të kujdesit social dhe vendosja e tyre në një mjedis të ngrohtë e të sigurt familjar.
Arianna, një nga prindërit kujdestarë, tregon eksperiencën e saj duke theksuar emocionet dhe sfidat e rrugëtimit për të hapur dyert e shtëpisë dhe zemrës për dy fëmijë, vëlla e motër.
“Në fillim nuk e dija çfarë vështirësie më priste. Shumë dokumente për të bërë, shumë vlerësime, trajnime. Por ia vlejnë! Kemi shpresë që një ditë me shumë dashuri, me strukturën familjare të shtëpisë, këta fëmijë të kenë një jetë normale me ne,” shprehet Arianna Bourke.

Nga ana tjetër, Mamica Shishi, koordinatore e Qendrës së Shërbimeve Mbështetëse për Fëmijën dhe Familjen pranë Bashkisë Korçë, tha se ky shërbim është një alternativë shumë e rëndësishme për fëmijët në nevojë.
“Pas një fushate sensibilizuese që kemi realizuar në qytetin e Korçës, na është ofruar familja e Tomit dhe Arjanës. Pas një procesi vlerësimi të realizuar nga Shërbimi Mbështetës për Fëmijën dhe Familjen, ne kemi rekomanduar që familja të kalojë në procesin e vlerësimit të komisioni multidisiplinar të ngritur në Bashkinë e Korçës,” thotë znj. Shishi.

Projekti synon që gjithnjë e më shumë familje në Korçë të marrin statusin e familjes kujdestare, duke garantuar për fëmijët dashurinë dhe mbështetjen që vetëm një familje mund të ofrojë.
Gazetare: E. Fili
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




