34-vjetori i Pavarësisë së Ukrainës, Spiropali: SHBA–BE, drita në fund të tunelit për të vendosur paqen Ukrainë–Rusi
Në Ditën e Pavarësisë së Ukrainës, kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, riafirmoi angazhimin e palëkundur të Shqipërisë për të mbështetur Ukrainën në luftën e saj për liri, sovranitet dhe integritet territorial.
Spiropali vuri në pah solidaritetin e Shqipërisë me popullin ukrainas dhe dënoi ashpër agresionin rus, duke e cilësuar atë si një sulm ndaj vlerave të lirisë dhe demokracisë.
Në deklaratën e saj, Spiropali reflektoi mbi rrugëtimin e Ukrainës gjatë tri dekadave të fundit, duke e krahasuar atë me tranzicionin e vështirë të vendeve të tjera të ish-bllokut komunist, përfshirë Shqipërinë.
Sipas saj, kjo periudhë e trazuar shpesh shoqërohej me “fytyrën e anarkisë”, por asnjë nga këto sfida nuk mund të krahasohet me aneksimin e paligjshëm të Krimesë në 2014 apo agresionin e gjerë ushtarak të Rusisë në shkurt 2022.
“34 vjet më parë më 24 gusht 1991, parlamenti ukrainas riktheu pavarësinë e këtij vendi nga gërmadhat e Ish-Bashkimit Sovjetik. Për tre dekada populli ukrainas përjetoi një tranzicion të gjatë drejt demokracisë pak a shumë si të gjitha vendet e tjera të lindjes komuniste, si edhe vendi ynë. Një liri që shfaqej edhe me fytyrën e anarkisë, me shpresa e zhgënjime, me fitore dhe disfata, suksese dhe dështime, me ecje përpara por edhe me fraktura prapakthyese. Por asnjë nga këto nuk mund të barazohet me aneksimin e Krimesë e më pas me agresionin në shkallë të gjerë të shkurtit 2022 ku një ish-perandori me forcën e avionëve, raketave dhe tankeve kërkoi të rikthejë autoritetin e saj prej perandorie duke shkelur një vend të lirë”, u shpreh Spiropali.
Ajo e cilësoi luftën e Ukrainës si një “ndeshje epike” për mbrojtjen e lirisë dhe vlerave demokratike, një betejë ku Shqipëria ka zgjedhur të jetë një mbështetëse e vendosur që nga dita e parë.
Kryetarja e Kuvendit theksoi rolin aktiv të Shqipërisë në mbështetje të Ukrainës, duke përmendur një sërë veprimesh konkrete diplomatike, politike dhe ushtarake.
“Në këtë ndeshje epike, Shqipëria ka qenë ndër vendet që ka mbështetur fort që nga dita e parë luftën e drejtë të Ukrainës për të mbrojtur lirinë, sovranitetin dhe integritetin territorial, duke nisur me rezolutën e miratuar në Kuvend më 8 mars 2022 te samiti për Europën Juglindore, Ukranë-Odesa më 11 qershor të këtij viti. Shqipëria është palë bashkë me vendet e tjera në vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë, ka ofruar mbështetje diplomatike, financiare dhe ushtarake. Ka qenë një zë i vendosur në samitin e platformës së Krimesë dhe në veprimtaritë ndërkombëtare për paqen, rimëkëmbjen dhe rindërtimin e Ukrainës. Ka realizuar në Tiranë samitin e vendeve të Europës Juglindore”, tha Spiropali.
Një moment kyç i përmendur nga Spiropali është marrëveshja strategjike 10-vjeçare e nënshkruar më 21 janar 2025 në Davos, mes Shqipërisë dhe Ukrainës. Kjo marrëveshje parashikon “një bashkëpunim afatgjatë në fusha të tilla si siguria dhe mbrojtja, inteligjenca dhe shkëmbimi i informacionit, siguria kibernetike, industria e mbrojtjes, si dhe luftën kundër krimit të organizuar, trafiqeve dhe dezinformimit”
Sipas Spiropalit, kjo marrëveshje shënon një hap të rëndësishëm për forcimin e lidhjeve mes dy vendeve dhe për mbështetjen e Ukrainës në rindërtimin e saj pas luftës.
Në deklaratën e saj, Spiropali vuri theksin edhe te roli i pazëvendësueshëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe presidentit Donald Trump në përpjekjet për t’i dhënë fund luftës dhe për të arritur një paqe të qëndrueshme mes Rusisë dhe Ukrainës.
Ajo theksoi se Shqipëria ka shprehur mbështetje të plotë për kontributin e SHBA-së dhe udhëheqësve të Evropës dhe NATO-s, duke i cilësuar këto përpjekje si “dritën e vetme në fund të tunelit të gjatë dhe të errët” të konfliktit.
“Shqipëria mbështet të gjithë përpjekjet dhe kontributin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe presidentit Trump për dhënien fund luftës dhe arritjen e paqes mes Rusisë dhe Ukrainës, si dhe paqen e pashmangshme, si dhe kontributin e pashmangshëm dhe të domosdoshëm të udhëheqësve të Evropës dhe NATO-s në mbështetje të këtyre përpjekjeve dhe konsideron se në këtë tunel të gjatë dhe të errët, vullneti i Uashingtonit dhe vendeve të BE-së janë drita e vetme në fund të tunelit sepse duke mbështetur Ukrainën ne mbështesim triumfin e lirisë mbi tiranë”, deklaroi Spiropali.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




