ICS2, Sistemi i ri i Kontrollit të Importit në BE hyn në fuqi: një epokë e re në mbrojtjen doganore

Ekonomi | 1 vit më parë

Bashkimi Evropian ka nisur zyrtarisht zbatimin e sistemit të ri ICS2 të kontrollit të importeve drejt tij. 

Platforma e përparuar, që zëvendëson Sistemin ekzistues të Kontrollit të Importit 1 (ICS1) dhe përfshin të gjitha mënyrat e transportit ajror, detar, rrugor dhe hekurudhor, hyn në fuqi më 1 shtator.

BE-ja synon të sigurojë raportim më të hershëm dhe më të detajuar të mallrave përpara mbërritjes, duke forcuar luftën kundër kontrabandës dhe kërcënimeve të tjera.

Sipas Ministrisë së Financave, nga 1 shtatori 2025, përdorimi i ICS2 bëhet i detyrueshëm për të gjithë operatorët ekonomikë që tregtojnë me BE-në. Në këtë kuadër, kompanitë shqiptare që eksportojnë ose kalojnë mallra drejt vendeve të BE-së duhet të sigurojnë kodin e quajtur EORI, sisteme teknologjike të përditësuara, dhe deklarim korrekt e në kohë të të dhënave të ngarkesës.

Autoritetet shqiptare të financave mendojnë se zbatimi i ICS2 pritet të sjellë rritje të transparencës, sigurisë dhe efikasitetit në qarkullimin e mallrave, duke ulur vonesat dhe duke përmirësuar bashkëpunimin ndërkufitar mes autoriteteve doganore.

Ndërkohë operatorëve ekonomikë iu duhet të ndjekin një rresht procedurash, duke nisur me një Deklaratë Përmbledhëse Hyrjeje (ENS) të plotë në sistemin ICS2 për të gjitha mallrat e transportuara për në ose përmes BE-së para mbërritjes së tyre. Për transportin ajror, një grup minimal informacionesh duhet të dorëzohet gjithashtu para ngarkimit (faza e parangarkimit).

Një ENS e plotë duhet të përmbajë të gjitha elementet e të dhënave të kërkuara specifike për mënyrën e transportit ose modelin e biznesit.  

Në varësi të marrëveshjeve kontraktuale midis aktorëve të zinxhirit të furnizimit në lidhje me përgjegjësitë e paraqitjes së ENS-së dhe disponueshmërinë e informacionit, mund të përdoren ose paraqitje të vetme ose të shumëfishta të ENS-së.

Bazuar në informacionin e dhënë në ENS, autoritetet doganore kryejnë analizën e riskut të sigurisë para ngarkimit ose para mbërritjes. 

Si rezultat i analizës së riskut, mund të lëshohen referime për zbutjen e riskut duke i kërkuar deklaruesit të japë informacione shtesë, të kryejë kontrollin e ngarkesave dhe postës me rrezik të lartë ose të mos e ngarkojë ngarkesën. Referimeve për zbutjen e riskut duhet t’u jepet përgjigje përpara se të rifillojë vlerësimi i riskut. 

Operatori i një anijeje detare ose i një avioni duhet të paraqesë një njoftim mbërritjeje me arritjen e mjetit të transportit në zyrën doganore të hyrjes së parë në BE.

Gazetare: Entela Komnino

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme