Sulmet ndaj spitaleve dhe gazetarëve, organizata dhe vende të ndryshme dënojmë aktet izraelite

Botë | 1 vit më parë

Sulmi i fundit i Izraelit në Gaza ndaj kompleksit mjekësor Nasser në Khan Younis, ku u vranë të paktën 21 persona, përfshirë pesë gazetarë dhe punonjës mjekësorë ka shkaktuar zemërim në shumë vende.

Sulmi është dënuar gjerësisht si një krim lufte. Izraeli është kritikuar ashpër nga vende si Kanadaja, Egjipti, Irani, Arabia Saudite, Britania e Madhe, Gjermania, Zvicra, Katari dhe Kuvajti.

Organizata humanitare si Mjekët Pa Kufij (MSF) dhe Shoqata e Shtypit të Huaj e përshkruan sulmin si “të egër” dhe “tronditës”.

MSF raportoi se stafi i saj u detyrua të strehohej në laboratorët e spitalit ndërsa Izraeli bombardoi vazhdimisht ndërtesën, një nga të paktat spitale publike ende pjesërisht funksionale në jug të Gazës.

Philippe Lazzarini, kreu i agjencisë së OKB-së për refugjatët palestinezë (UNRËA), deklaroi se sulmi izraelit synonte të “heshtte zërat e fundit që raportonin për fëmijët që vdesin në heshtje mes urisë”.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, dënoi vrasjet dhe kërkoi që personeli mjekësor dhe gazetarët të mbrohen “në çdo kohë” nga sulmet.

Ai gjithashtu bëri thirrje për një hetim të paanshëm, ndonëse hetimet e mëparshme të ushtrisë izraelite për masakrat ndaj civilëve nuk kanë sjellë asnjëherë përgjegjësi.

Sindikata e Gazetarëve Palestinezë e denoncoi sulmin si një “masakër të tmerrshme e kryer nga forcat e pushtimit izraelit” që synonin qëllimisht ekipet e shtypit.

Ministria e Shëndetësisë e Gazës shpjegoi se Izraeli kreu dy sulme ajrore në katet e sipërme të një ndërtese emergjence, ku sulmi i dytë u krye qëllimisht kur punonjësit e ekipeve të shpëtimit po ndihmonin të plagosurit. 

 “Ky ishte një krim lufte i qëllimshëm dhe jo incident,” deklaruan grupet ligjore palestineze, duke premtuar se do të përfshijnë provat në një çështje ligjore të ardhshme.

Mes viktimave ishte Abu Dagga, 33 vjeç, një gazetar i pavarur për Associated Press.

Në një sulm tjetër izraelit po atë ditë, gazetari Hassan Douhan u qëllua për vdekje nga forcat izraelite në Khan Younis, sipas Sindikatës së Gazetarëve Palestinezë.

Masakra rriti numrin e gazetarëve të vrarë në Gaza që nga tetori 2023 në të paktën 245, sipas Zyrës për Media të Qeverisë së Gazës.

Vëzhguesit thonë se modeli i sulmeve të përsëritura dhe të qëllimshme kundër punonjësve të mediave dhe ekipeve mjekësore zbulon një strategji të qëllimshme izraelite për të shtypur dëshmitarët dhe për të terrorizuar civilët nën rrethim.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme