Zgjedhja e kreut të BKH-së – Pastërti e figurës për kandidatët, të hënën KLP mbyll mandatin Hajnajt

Aktualitet | 1 vit më parë

Komisioni i Pastërtisë dhe Figurës është mbledhur për të vijuar procesin e përzgjedhjes së drejtorit të ri të Byrosë Kombëtare të Hetimit.

Ky komision përbëhet nga prokurorët e SPAK, Behar Dibra dhe Eneid Nakuçi, kryetarja e Apelit të GJKKO-së, Saida Dollani, si edhe dy agjentë të BKH-së.

Të shtatë kandidatët që garojnë për këtë post kanë dorëzuar dokumentacionin e kërkuar dhe kanë dhënë pëlqimin për kontrollin pasuror dhe atë të figurës, jo vetëm për veten, por edhe për familjarët e tyre. Në vijim, kandidatët do të shortohen për t’u caktuar relatorët përkatës nga radhët e anëtarëve të komisionit, të cilët do të shqyrtojnë në detaj secilin prej tyre.

Kandidatët që vijojnë garën për drejtimin e BKH janë: Andi Pogaçe, Artur Beu, Elton Kërluku, Gentian Ndoi, Gentjan Shehaj, Gledis Nano dhe Joni Keta.

Nga ana tjetër, më 1 shtator, në orën 11:00, Këshilli i Lartë i Prokurorisë do të mblidhet për të konstatuar përfundimin e mandatit 5-vjeçar të Aida Hajnajt, që deri tani ka drejtuar BKH-në.

Deri në zgjedhjen e emrit të ri, drejtimin e përkohshëm të institucionit do ta marrë zëvendësdrejtori Joni Keta, i cili është gjithashtu në garë për postin.

Gazetare: Lusi Përgjegji

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme