Kreu dënimin me burg, lirohet pas 17 muajsh ish-kryebashkiaku i Himarës, Jorgo Goro

Lirohet nga qelia ish-kryebashkiaku i Himarës, Jorgo Goro.
Ish-kryebashkiaku u arrestua më 23 mars 2024 me urdhër të SPAK-ut dhe u dënua me gjykim të shkurtuar 2 vite e 20 ditë burg për shpërdorim detyre në dy raste, dhe për fshehje të pasurisë. Kur vendimi u bë i formës së prerë më 22 korrik 2025, Goroja e kishte kryer tashmë pothuajse gjithë kohën e burgut. Raportohet se ish-kryebashkiaku i la ambientet e burgut më 12 gusht.
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka dërguar një dosje të dytë ndaj Goros në GJKKO, nisur nga kallëzimi i ish-kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës, Fredi Beleri, i cili akuzoi se në vitin 2016, Goroja kishte kaluar në mënyrë të paligjshme 4.263 m2 tokë në emër të Arqile Bollanos, i komanduar në atë kohë në krye të bashkisë. Bollano, sipas Prokurorisë, kishte përfituar më herët edhe 7.700 m2 tokë bazuar në ligjin 7501, duke e tejkaluar sipërfaqen që i takonte.
Për këtë dosje, Gjykata e Shkallës së Parë ka vlerësuar që ish-kryebashkiaku Goro të dënohet me 1 vit e 6 muaj burg.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




