“Irani nuk i është përmbajtur paktit të 2015-ës” – Britania, Gjermania dhe Franca duan të rikthejnë sanksionet e OKB-së

Botë | 1 vit më parë

Mbretëria e Bashkuar, Franca dhe Gjermania kanë nisur procesin e rivendosjes së sanksioneve të Kombeve të Bashkuara ndaj Iranit, të cilat patën qenë hequr në një marrëveshje që Fuqitë e Mëdha arritën në vitin 2015 me Republikën Islamike për programin bërthamor të këtij të fundit, dhe nga e cila SHBA u tërhoq në vitin 2018, gjatë mandatit të parë presidencial të Donald Trump.

Tri vendet e kontinentit të vjetër i kanë dërguar një letër Këshillit të Sigurimit të OKB-së për rivendosjen e sanksioneve. Këshilli ka tridhjetë ditë që të vendosë nëse do të rikthejë ose jo masat ndaj Teheranit, ku përfshihen:

  • ngrirja e aseteve të Iranit jashtë vendit;
  • ndalimi i marrëveshjeve të armëve me Teheranin;
  • penalizimi i zhvillimit të programit raketor balistik të Republikës Islamike.

Në letër, Parisi, Londra dhe Berlini thonë se në mënyrë të qartë dhe të qëllimshme Irani nuk i është përmbajtur marrëveshjes së vitit 2015 dhe se nuk qëndron justifikimi i Iranit se stokun me uranium të pasuruar e ka për qëllime civile.

Në letër theksohet se programi bërthamor i Teheranit vijon të përbëjë një kërcënim të qartë për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare.

Tri vendet, të cilat janë nënshkruese të paktit të vitit 2015, paralajmëruan ndërkohë dy javë më parë se ishin të përgatitura të rikthenin sanksionet nëse deri në fund të gushtit Irani nuk dakordësohej për një zgjidhje diplomatike.

Por ministri i Jashtëm iranian, në një letër që i ka dërguar shefes së politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas, pretendoi se Franca, Gjermania dhe Britania nuk kishin juridiksion ligjor që të riaktivizonin sanksionet, dhe se Rusia, ashtu si Kina, anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit, e mbështesnin qëndrimin e vendit të tij.

Duke folur për gazetarët, Kallas tha se javët e ardhshme ofrojnë një mundësi për arritjen e një zgjidhjeje diplomatike për programin bërthamor të Iranit.

“Me këto 30 ditë po hyjmë në një fazë të re që na jep një mundësi për të gjetur mënyra diplomatike për një zgjidhje,” nënvizoi Kallas. 

Gazetare: Elda Pepa

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme