Operatori Kombëtar për trajtimin e mbetjeve, Këlliçi: Strategjia e riciklimit të Ramës, fasada e re e korrupsionit

Deputeti i zgjedhur i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, ka deklaruar se vendimi i qeverisë për krijimin e një Operatori Kombëtar për trajtimin e mbetjeve nuk ka në themel reformën, por zhdukjen e fondeve përmes kontratave klienteliste.
Këlliçi sjell në kujtesë strategjinë e hartuar nga PD në 2012 për trajtimin e mbetjeve, të cilën sipas tij, Rama e hodhi poshtë pasi sikurse shprehet demokrati, kryeministri kishte në fokus biznesin gjigant të pastrimit të parave.
“Kryeministri që shkatërroi financat publike me inceneratorët, del e thotë se do të ngrejë një ‘operator kombëtar për trajtimin e mbetjeve’. Edhe ky projekt pritet të jetë një tjetër gropë e zezë korrupsioni, një tjetër ndërmarrje fasadë ku do të zhduken të tjera miliona euro nga taksat e qytetarëve. Sepse nuk kemi të bëjmë me reformë, por me të njëjtin model, zhdukje fondesh përmes propagandës dhe kontratave klienteliste.
Partia Demokratike u kujton shqiptarëve se në vitin 2012, kur PD ishte në qeveri, ishte hartuar një strategji serioze për trajtimin e mbetjeve, e bazuar tek riciklimi dhe ekonomia e gjelbër, pa afera korruptive dhe pa dhunuar buxhetin e shtetit”, deklaron Këlliçi.
Një ditë më parë, kryeministri njoftoi projektligjin e ri “Për Menaxhimin e Integruar të Mbetjeve”, në thelb të së cilit qëndronte krijimi i një Operatori Kombëtar dhe u hiqte bashkive fuqinë menaxhuese mbi trajtimin e mbetjeve, por duke i lejuar të jenë klientë.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




