Operator Kombëtar për mbetjet, Qeveria ka gati një projektligjin. Bashkitë do jenë kliente

Qeveria ka gati projektligjin e ri “Për Menaxhimin e Integruar të Mbetjeve”, në thelb të së cilit qëndron krijimi i një Operatori Kombëtar.
Lajmi u bë me dije nga Kryeministri Edi Rama i cili sqaroi se trajtimi i mbetjeve nuk do të menaxhohet më nga Bashkitë, por nga Operatori Kombëtar që do të jetë në dizpozicion të vendit e pushtetit vendor.
Rama deklaroi se trajtimi i integruar i mbetjeve, është një prej reformave më sfiduese në kuadër të misionit për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian brenda 2023-ës.
“Është Pr.ligji i ri për menaxhimin e integruar të mbetjeve ku kemi parashikuar krijimin e Operatorit Kombëtar të trajtimit të mbetjeve. Një agjenci, institucion, ndërmarrje e re e cila do të jetë në dispozicion të gjithë Republikës, të pushteti vendor, qytetarëve, të këtij misioni për anëtarësim në BE, duke përqendruar gjithë procesin e trajtimit dhe grumbullimit të mbetjeve. Nuk do jetë më proces i administruar nga bashkitë, por nga ky Operator Kombëtar në bashkëpunim me hallkat e tjera të qeverisjes, në raport me të cilin bashkitë do jenë klientë njësoj si janë klientë të operatorëve të tjerë për të tjera shërbime”, deklaroi Rama.
Në kuadër të masave për trajtimin e integruar të mbetjeve, kryeministri paralajmëroi heqjen e të gjitha varrezave të makinave në vend. Ai theksoi se Shqipëria është i vetmi vend në Europë që ka të ligjëruar pa ligj varrezat e makinave. Në këtë kuadër, Rama bëri me dije se brenda këtij viti do të shkojë në Kuvend një ligj pikërisht për të rregulluar këtë problematikë.
“Nëse në pastrim kemi bërë përparime të dukshme, nëse në mbajtjen pastër të vendin e plazheve kemi bërë përparime të dukshme, dhe në trajtimin e mbetjeve kemi bërë përprime domethënëse, jemi në një situatë tërësisht primitive në raport me ndarjen në burim të mbetjeve, me përgjeegjesinë e zgjeruar të prodhuesve, ku përfshihen ambalazhe plastike, automjete, bateri, etj, jemi i vetmi vend në Europë që varrezat e makinave i kemi të ligjëruara pa ligj, por me vullnetin e Maliqit në territor si fakte të kryera dhe ky do jetë një operacion që sapo ka nisur dhe do vazhdojë për shkuljen e të gjitha varrezave.
Jemi një vend që s’ka akoma detyrim për raportim, financim nga prodhuesit shpërndarësit e importuesit lidhur me trajtimin ccfarë ndodh me gjithë këto materiale kur kryejnë misionin e tyre si ambalazh, si bateri, apo si automjete. Për këtë kemi një Ligj që do kalojë në Kuvend brenda këtij viti.”, sqaroi Rama.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




