Von der Leyen: Forcojmë kapacitetet mbrojtëse. Deri në 2030-n, BE gati t’i përgjigjet agresionit rus

Europë | 1 vit më parë

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen deklaroi të premten gjatë një vizite në Letoni se Bashkimi Evropian do të jetë gati brenda dekadës për t’iu përgjigjur “agresionit” rus me forcën e duhur.

Ajo theksoi se deri në vitin 2030, BE-ja synon të forcojë ndjeshëm kapacitetet e saj mbrojtëse dhe të mbyllë boshllëqet ekzistuese në këtë fushë, duke ofruar njëkohësisht garanci të forta sigurie për Ukrainën.

“Putini është një grabitqar. Përfaqësuesit e tij kanë sulmuar shoqëritë tona për vite me radhë përmes sulmeve hibride, kibernetike dhe përdorimit të emigrantëve si armë,” u shpreh von der Leyen.

Presidentja e KE-së shtoi se Letonia ka përvojë të hidhur me këto kërcënime, veçanërisht me instrumentalizimin e emigrantëve.

Von der Leyen nënvizoi rëndësinë e sigurisë së Evropës Lindore për të gjithë kontinentin, duke thënë se “Evropa është e sigurt vetëm nëse kufiri lindor është i sigurt, prandaj linja e mbrojtjes së kufirit lindor është një nga nismat më të rëndësishme që ka mbështetjen time të plotë.”

Ajo foli për instrumentin e ri të BE-së për blerje të përbashkët, SAFE, i cili ka siguruar tashmë pjesëmarrje të plotë me 150 miliardë euro.

Sipas saj, 19 shtete anëtare, përfshirë Letoninë, kanë kërkuar mbështetje përmes këtij instrumenti financiar.

Presidentja e Komisionit Evropian përmendi gjithashtu prioritetet buxhetore të BE-së, duke përfshirë një rritje pesëfish të shpenzimeve për mbrojtje, një rritje dhjetëfish për mobilitetin ushtarak dhe trefishim të propozimit për forcimin e migracionit dhe kufirit.

“Ndërsa forcojmë mbrojtjen e Ukrainës, duhet të marrim më shumë përgjegjësi për mbrojtjen tonë,” tha ajo, duke iu referuar planit industrial të mbrojtjes prej 800 miliardë eurosh të lançuar nga BE-ja.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme