Garancitë e sigurisë për Kievin, Trump: Asnjë trupë amerikane në Ukrainë, japim mbështetje për Evropën

Botë | 1 vit më parë

Presidenti amerikan Donald Trump tha në një intervistë për mediet vendase se Shtetet e Bashkuara nuk do të dërgojnë trupa në Ukrainë, por janë të gatshme të ndihmojnë vendet evropiane në ofrimin e garancive të sigurisë për Kievin.

“Nuk mendoj se [lufta Rusi–Ukrainë] mund të zgjidhet pa një lloj garancie sigurie, por ne nuk do të dërgojmë ushtarë në terren apo ndonjë gjë tjetër, por mund ta ndihmojmë Evropën,” tha ai, duke aluduar se mbështetja amerikane mund të përfshijë ndihmën ndaj partnerëve evropianë në patrullimin e hapësirës ajrore të Ukrainës.

“Ndoshta do të bëjmë diçka. Do të doja të shihja që diçka të zgjidhet. Ata nuk janë ushtarët tanë, por çdo javë vriten 5 mijë deri në 7 mijë persona, kryesisht të rinj,” shtoi Trump.

Ai theksoi se Shtetet e Bashkuara aktualisht nuk po shpenzojnë para për Kievin.

“Ne i shesim pajisje NATO-s, jo Ukrainës. Aleanca paguan për to. Nuk do të shpenzojmë para në atë luftë,” siguroi presidenti republikan.

Ndërsa lidhur me mundësinë e një takimi dypalësh mes liderëve të Rusisë dhe Ukrainës, Trump tha se mund të jetë i pamundur, por siguroi mbajtjen e një takimi trepalësh bashkë me të.

“Një takim trepalësh mund të ndodhë. Nuk e di për një takim dypalësh, por një takim trepalësh do të ndodhë. Por, a e dini, ndonjëherë njerëzit nuk janë gati,” shtoi ai.

Trump komentoi edhe marrëdhënien me Vladimir Putinin përgjatë viteve.

“Kjo është arsyeja pse mendova vërtet se do të gjenim një zgjidhje. Do të më kishte pëlqyer shumë që të kishte një të tillë,” tha kreu i Shtëpisë së Bardhë, duke iu referuar samitit të Alaskës.  

Gazetare: Vjollca Zharri

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme