I përfundoi mandati, KLP liron nga detyra kreun e BKH, Aida Hajnaj

Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka liruar nga detyra drejtuesen e Byrosë Kombëtare të Hetimit, Aida Hajnaj, pas përfundimit të mandatit 5-vjeçar.
Vendimi u mor në mbledhjen e kësaj të hëne (1 shtator) me 6 vota pro dhe katër kundër. Aida Hajnaj u emërua në krye të Byrosë Kombëtare të Hetimit më 30 korrik të vitit 2020.
Në mbledhje kanë qenë të pranishëm anëtarë të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, si dhe përfaqësuesve nga Prokurori i Përgjithshëm, Ministria e Drejtësisë, Projekti Eu4Justice dhe Programi OPDAT.
Deri në zgjedhjen e emrit të ri për të qenë në krye të BKH-së, drejtimin e përkohshëm të institucionit do ta marrë zëvendësdrejtori Joni Keta. Kandidatët që vijojnë garën për drejtimin e BKH janë: Andi Pogaçe, Artur Beu, Elton Kërluku, Gentian Ndoi, Gentjan Shehaj, Gledis Nano dhe Joni Keta.
Byroja Kombëtare e Hetimit është një strukturë kyçe në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, duke mbështetur hetimet e SPAK me përgjime, vëzhgime dhe veprime të tjera.
Përzgjedhja e drejtorit të ri konsiderohet shumë e rëndësishme për efikasitetin e hetimeve në të ardhmen.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




